FLASH :

Forbes | Elon Musk dëshiron të rrisë lindshmërinë, por po shkurton kujdesin mjekësor për nënat dhe foshnjat

Nga Emily Baker-White || Forbes

Ndërkohë që Elon Musk këmbëngul se rënia e lindshmërisë është një “emergjencë kombëtare” që mund të sjellë kolapsin e qytetërimit, nisma e tij “Department of Government Efficiency” (DOGE) po ndërpret miliarda dollarë financime për kujdesin mjekësor të grave shtatzëna, nënave të reja dhe fëmijëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Kjo hipokrizi flagrante është bërë veçanërisht e dukshme pas ndërprerjes së një granti prej mbi 2 milionë dollarësh për një projekt komunitar në Brooklyn që ofronte ndihmë për gratë gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. “Bota ka marrë fund,” tha aktivistja Sevonna Brown, e cila prej më shumë se një dekade kishte ndërtuar një rrjet ndihmash për nënat në nevojë. Tani, shërbime thelbësore si vizitat në shtëpi për gra me rrezik për depresion apo hipertension, qendrat kundër dhunës në familje dhe shpërndarja e formulave ushqimore janë ndërprerë.

Granti ishte pjesë e programit NY-CHAMP i mbështetur nga NIH dhe Departamenti i Shëndetësisë (HHS), i cili humbi financimin kur DOGE anuloi mbi 10 miliardë dollarë në grante federale për kujdesin shëndetësor të grave dhe fëmijëve. Ironikisht, këto shkurtime vijnë nga i njëjti person që thotë se “njerëzimi do të shembet nëse gratë nuk lindin më shumë fëmijë”. Musk është baba i të paktën 14 fëmijëve dhe ka ofruar publikisht spermën e tij për të rritur lindshmërinë.

Ndërkohë që Musk financon kërkime për fertilitetin, përfitimet janë të pakta në krahasim me dëmin e shkaktuar. DOGE ka pezulluar fonde për qendrat e kujdesit shëndetësor për gratë, ka larguar punonjës federalë që punonin me nënat në Medicaid dhe ka ndërprerë mbështetjen për spitale si Morehouse School of Medicine dhe qendra të tjera në Atlanta, Massachusetts, Seattle, Philadelphia dhe Los Angeles.

Për Emilie Rodriguez, bashkëthemeluese e rrjetit “The Bridge Directory”, i cili ofron ndihmë për nënat gjatë dhe pas shtatzënisë, kjo politikë është një kontradiktë brutale: “Nuk mund të pretendosh se të shqetëson lindshmëria, ndërsa shkatërron sistemet që e bëjnë shtatzëninë dhe prindërimin të mundur dhe të sigurt.”

Përveç ndihmës së drejtpërdrejtë për gratë, janë prekur rëndë edhe programet e vaksinimit për fëmijët, trajtimet për HIV-in dhe studimet për shëndetin mendor të fëmijëve. Më shumë se 12 miliardë dollarë janë hequr nga buxhetet e departamenteve shtetërore të shëndetësisë, përfshirë 2 miliardë për programet e vaksinimit të fëmijëve – ndonëse këto vaksina kanë shpëtuar rreth 154 milionë jetë në 50 vitet e fundit.

Shkurtimet justifikohen si pjesë e një axhende “kundër woke”, e cila synon të eliminojë fjalë si “gra”, “të zinj” dhe “emigrantë” nga dokumentet dhe grantet. Por siç thotë Rodriguez, kjo nuk është vetëm censurë, është zhdukje e qëllimshme e grupeve vulnerabël.

Ndërkohë që DOGE e shet veten si nismë për “eficiencë”, ekspertët paralajmërojnë se shkurtime të tilla do të kenë kosto shumë më të mëdha për buxhetin publik në të ardhmen, përmes trajtimeve të vonuara dhe krizave të parandalueshme. “Ndërhyrjet që ofrojmë shpëtojnë jetë dhe ulin kostot spitalore”, thotë Dr. Uma Reddy, drejtuesja e programit NY-CHAMP.

Edhe zëra nga e djathta politike kanë nisur të shprehin pakënaqësi. Komentatori i Fox News, Jesse Watters, tha se nëna e tij ishte e zemëruar për shkurtimet dhe se motra e tij, që punon në Johns Hopkins, mund të preket drejtpërdrejt.

Por në terren, ndërsa qeveria tërhiqet, komunitetet po përpiqen të mbushin boshllëkun: “Po ndajmë ushqim nga frigoriferët tanë, po bëjmë ndihmë të ndërsjellë. Nuk mund t’i lëmë gratë vetëm. Nuk mund ta lëmë një nënë pa formulë për foshnjën e saj,” thotë Sevonna Brown. “Po e bëjmë vetë – por kjo po na rraskapit.”