FLASH :

FMN përfundon me sukses programet me Kosovën: Rritja pritet të mbetet 4% në 2025, inflacioni stabilizohet në 2.25%

Pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare globale, ekonomia e Kosovës po ruan një ecuri të qëndrueshme, me një parashikim rritjeje prej 4% për vitin 2025 dhe inflacion të stabilizuar në nivelin 2.25%. Këto janë gjetjet kryesore të përmbylljes së rishikimit të katërt dhe të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Marrëveshjen e Instrumentit të Mbështetjes për Gatishmëri (SBA) dhe atë për Resiliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF).

Sipas FMN-së, gjatë vitit 2024, ekonomia e Kosovës u rrit me 4.4%, e nxitur nga konsumi i familjeve dhe kredia private. Inflacioni ra ndjeshëm nga 4.9% në vitin 2022 në vetëm 1.6% këtë vit, ndërkohë që deficiti i llogarisë korrente u zgjerua në 9% të PBB-së për shkak të rritjes së importeve.

“Pavarësisht sfidave të jashtme, ekonomia e Kosovës mbetet e fortë. Programet me FMN-në kanë përforcuar qeverisjen fiskale dhe kanë shtyrë përpara reformat në sektorin financiar,” deklaroi Bo Li, zëvendësdrejtor menaxhues i FMN-së.

Në kuadër të këtij rishikimi, Kosova përfitoi 16.08 milionë euro nga SBA dhe 9.32 milionë euro nga RSF, duke e çuar totalin e disbursimeve në 96.5 milionë euro për SBA-në dhe 74.61 milionë euro për RSF-në.

FMN vlerëson se Kosova ka përmirësuar ndjeshëm mbledhjen e të ardhurave, menaxhimin e investimeve publike, transparencën fiskale dhe ka forcuar stabilitetin bankar. Po ashtu, reformat e ndërmarra ndihmojnë vendin në përmbushjen e objektivave të tij klimatike dhe energjetike, me fokus te burimet e rinovueshme dhe bashkëpunimi rajonal.

Ministria e Financave e Kosovës konfirmoi përmbylljen me sukses të dy programeve, duke i cilësuar ato si një mbështetje të fuqishme për stabilitetin ekonomik, menaxhimin e borxhit publik dhe orientimin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të gjelbër.