Tetë pasagjerë, mes tyre edhe një fëmijë dyvjeçar, u lënduan pasi një fluturim i kompanisë Ryanair nga Berlini drejt Milanos u përball me turbulenca të forta dhe u detyrua të bëjë një ulje emergjente në aeroportin Memmingen, në jug të Gjermanisë.
Sipas autoriteteve gjermane, tre persona u dërguan në spital për trajtim mjekësor, ndërsa pesë të tjerë morën ndihmë në vendngjarje. Të gjithë pasagjerët në bord – 179 në total së bashku me gjashtë anëtarët e ekuipazhit – iu nënshtruan kontrolleve mjekësore si masë paraprake.
Avioni, që duhej të ulej në Milano, nuk mundi të përfundonte udhëtimin për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe u devijua drejt Memmingenit, ku u ul në mënyrë të sigurt rreth orës 20:44. Autoriteti i Aviacionit në Bavarinë Jugore nuk dha miratim për vazhdimin e mëtejshëm të fluturimit atë natë.
Ryanair njoftoi se kapiteni kishte kërkuar ndihmë mjekësore që në ajër dhe u kërkoi ndjesë pasagjerëve për shqetësimin. Kompania ofroi transport alternativ për në Milano dhe organizoi një fluturim zëvendësues mëngjesin pasardhës.
“Ne kërkojmë ndjesë të sinqertë për pasagjerët e prekur nga kjo devijim,” thuhet në reagimin zyrtar të Ryanair.