Pas një ndërprerjeje që zgjati plot 13 vite, qyteti sirian i Aleppos do të mirëpresë sërish fluturime të rregullta ndërkombëtare. Duke filluar nga data 1 gusht, “Turkish Airlines” do të rifillojë fluturimet e përditshme nga Aeroporti Ndërkombëtar i Stambollit drejt qytetit të dikurshëm të luftës.
Rihapja e këtij destinacioni vjen në një moment kyç për Sirinë, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad vitin e kaluar dhe vendosjes së një administrate të re nën drejtimin e presidentit Ahmad al-Sharaa. Autoritetet siriane pretendojnë se situata e sigurisë në vend është përmirësuar ndjeshëm, duke e bërë të mundur rikthimin e fluturimeve dhe hapjen graduale ndaj botës.
Aleppo, qyteti i dytë më i madh në Siri, ka qenë për vite me radhë një nga zonat më të goditura nga lufta civile e nisur në vitin 2011. Turkish Airlines i kishte pezulluar fluturimet drejt Sirisë në vitin 2012, për shkak të përkeqësimit të sigurisë.
Çmimi i biletës vajtje-ardhje për këtë destinacion të saporihapur do të jetë 299 dollarë. Kompania buxhetore AJet, e lidhur me Turkish Airlines, rifilloi fluturimet drejt Damaskut në muajin qershor, ndërsa më 23 janar u realizua fluturimi i parë nga Stambolli për në kryeqytetin sirian, me 349 pasagjerë në bord – shumica sirianë të kthyer pas shumë vitesh emigrimi.
Edhe linja të tjera ajrore po ndjekin të njëjtin drejtim: Emirates ka rifilluar fluturimet drejt Damaskut në prill, ndërsa Qatar Airways pritet të nisë linjat e para për në Aleppo muajin e ardhshëm.