Kjo e diel e dytë e muajit gusht ka sjellë një fluks të madh automjetesh drejt bregdetit të Lezhës dhe Velipojës, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe pritje të gjata në rrugë. Qindra qytetarë të nisur për plazh janë bllokuar për orë të tëra në aksin kombëtar Laç–Lezhë, ku radhët kilometrike kanë nisur që prej orës 10:00 të mëngjesit.
Pika më problematike është shënuar në rrethrrotullimin e Fushë Milotit, ku automjetet lëvizin me ritëm tepër të ngadaltë, ndërsa temperaturat mbi 40°C e kanë bërë situatën edhe më të vështirë për drejtuesit dhe pasagjerët. Trafiku është rënduar më tej nga mbyllja e urës së vjetër të Milotit, e shpallur e rrezikshme për shembje, duke detyruar të gjithë automjetet të përdorin vetëm një itinerar për të kaluar këtë nyje kyçe drejt veriut dhe bregdetit të Adriatikut.