Flori Mumajesi, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, është rikthyer pas një kohe të gjatë larg skenës dhe rrjeteve sociale. Prej kohësh është përfolur për një periudhë të vështirë që ka kaluar për shkak të problemeve të shëndetit mendor, ndaj dhe ka preferuar të jetojë në heshtje në Kosovë, larg vëmendjes publike. Por së fundmi, një video e shpërndarë nga Klajdi Haruni, ku dëgjohet dhe zëri i Florit në studio, ka ngritur shpresat për një rikthim të afërt të kantautorit. Në video duken edhe Kejsi Tola, Klajdi dhe Bruno, duke hedhur poshtë zërat për një krisje mes Florit dhe Brunos.
Gjithashtu, ndjekësit kanë vënë re ndryshimin në Instagramin e tij, ku fotoja e profilit përmban shkrimin “Pak Flor”, duke shtuar dyshimet se ky mund të jetë emri i një albumi të ri apo një mesazh simbolik për rikthimin e tij. Edhe pse koncerti recital që u përfol vitin e kaluar ende nuk është konkretizuar, burime pranë këngëtarit bëjnë me dije se Flori po punon aktualisht në disa produksione muzikore për artistë të tjerë. Të gjitha shenjat flasin për një rikthim të afërt dhe të shumëpritur nga publiku.