FLASH :

“Flamuri i Shën Gjergjit përfaqëson racizëm, jo atdhedashuri” – Deklarata e profesorit ndez debat në Britani

Një debat i fortë ka shpërthyer në Mbretërinë e Bashkuar pasi profesori i studimeve racore, Kehinde Andrews, deklaroi në emisionin Good Morning Britain se flamuri i Shën Gjergjit, simboli kombëtar i Anglisë, “nuk përfaqëson patriotizëm, por racizëm”, duke kërkuar që ai të ndryshohet.

Komentet e tij erdhën në mes të një fushate masive të quajtur “Operation Raise the Colours”, e cila ka parë ngritjen e mijëra flamujve anglezë dhe britanikë në rrugët e qyteteve si Birmingham, Londër, Bradford e Newcastle. Por sipas Andrews, ky simbol është përdorur historikisht nga ekstremi i djathtë dhe është ngarkuar me kuptime shtypëse që lidhen me kolonializmin dhe racizmin e Perandorisë Britanike.

“Flamujt që dikur u valëvitën në anijet që transportonin skllevër janë sot përdorur për të dërguar mesazhe se ‘Britania është e bardhë’ dhe të tjerët nuk janë të mirëpritur”, tha ai. Reagimet në rrjet ishin të ndara: një pjesë e kritikoi si “urrejtës ndaj britanikëve”, ndërsa të tjerë pranuan se flamuri është uzurpuar nga grupe të ekstremit të djathtë, veçanërisht në protesta kundër emigrantëve.

Ndërkohë, analisti politik Dr Rakib Ehsan mbrojti përdorimin e flamurit, duke theksuar se shfaqja e krenarisë kombëtare nga pakicat etnike është pikërisht kundërpërgjigjja më e mirë ndaj ekstremizmit. Ndërkohë, autoritetet lokale si Birmingham City Council kanë nisur heqjen e flamujve për “arsye sigurie”, çka ka shtuar edhe më tej përplasjet politike dhe kulturore rreth simboleve kombëtare në Britani.