FLASH :

Fjalët e fundit zemërthyese të vajzës së vogël që qëndroi 60 orë e bllokuar në baltë

“Mami, të dua shumë” ishin fjalët e fundit që 13-vjeçarja kolumbiane, Omayra Sánchez, tha para se të ndërronte jetë, pasi kaloi 60 orë e bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së saj, e zhytur deri në bel në baltën çimentoze që u përhap nga shpërthimi i vullkanit Nevado del Ruiz më 13 nëntor 1985. Vajza e re u bë simbol i një tragjedie që preku botën mbarë, ndërsa miliona njerëz ndoqën nga ekranet përpjekjet e dështuara për ta shpëtuar.

E bllokuar në baltën vdekjeprurëse që shkatërroi qytetin Armero dhe vrau mbi 23,000 persona, Omayra qëndroi e vetëdijshme për tre ditë, ndërsa e rrethuar nga gazetarë, fotografë dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq, i lutej nënës së saj që ndodhej në Bogota si infermiere: “Lutu që të mund të ec… mami, të dua shumë, babi të dua, vëlla të dua.” Pavarësisht përpjekjeve të pareshtura, shpëtimi i saj ishte i pamundur. Më pas ajo filloi të haluçinonte, të shqetësohej për provimin e matematikës dhe u kërkonte të tjerëve të shkonin në shtëpi për të pushuar.

Momenti i fundit i saj u kap në një fotografi tronditëse nga fotoreporteri francez Frank Fournier, i cili mori çmimin prestigjioz World Press Photo of the Year në vitin 1986, por u kritikua për mosndërhyrje. Fournier shpjegoi se e kishte të pamundur ta shpëtonte, por zgjodhi të dokumentonte tragjedinë për të ngritur ndërgjegjësimin dhe për të ekspozuar dështimin e autoriteteve kolumbiane që nuk kishin hartuar plane evakuimi, pavarësisht paralajmërimeve të shkencëtarëve.

Omayra jetonte me babain, vëllain më të vogël dhe hallën – të gjithë humbën jetën menjëherë nga rrëshqitja e baltës. Nënë e saj, Maria Aleida Sánchez, ka treguar vite më vonë se Omayra ishte një vajzë që e donte shkollën dhe ishte shumë e lidhur me familjen. Armero, dikur i njohur si “qyteti i bardhë”, mbetet sot një qytet fantazmë, me rrënoja, varre simbolike dhe kujtimin e një tragjedie që tronditi ndërgjegjen botërore – me fytyrën e vogël të Omayrës si dëshminë më të dhimbshme të saj.