FLASH :

Finiq – Djeg sipërfaqe me bimësi në fshatin Sopik, arrestohet 20-vjeçari

Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Sarandës, pasi akuzohet për ndezjen e një zjarri në fshatin Sopik të Finiqit, që rrezikoi të përhapej dhe të shkaktonte pasoja të rënda.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi A. P., banues në Sopik, dyshohet se më datë 18 gusht 2025 ka ndezur zjarr në fushën e sportit të fshatit, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje toke me bimësi dhe shkurre. Falë ndërhyrjes në kohë të banorëve të zonës, zjarri u izolua dhe u shmang përhapja e mëtejshme e flakëve.

Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë bënë të mundur ndalimin e të riut, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës për vijimin e hetimeve.

Policia e Vlorës apelon qytetarët që të mos ndezin zjarre në asnjë rast, pasi do të përballen me ligjin. Në rastet e zjarreve apo veprimtarive të tjera të paligjshme, qytetarët ftohen të telefonojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe ndërhyrje të menjëhershme.