Finale spektakolare me plot 5 gola të shënuar! Barcelona triumfoi ndaj Realit me rezultatin 3-2 në finalen e Kupës së Mbretit duke fituar trofeun e 32-të në histori.
Një triumf ky që mban gjallë ëndrrën që katalanasit të fitojnë tripletën këtë sezon. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-0 falë golit të Pedrit.
Pothuajse gjatë tërë pjesës së parë blaugranasit ishin më të rrezikshëm dhe më kërkues duke detyruar Real Madridin që të mbyllet mbrapa për të mos lënë hapësira.
Pas disa përpjekjeve të njëpasnjëshme, të besuarit e Hansi Flick ia dolën që më në fund të gjejnë golin e epërsisë.
Po luhej minuta e 28-të e takimit kur Lamine Yamal me mençuri bëri një super pasim te Pedri i cili nga jashtë zonës me një goditje të bukur realizoi për 1-0.
Në fragmentin e dytë të sfidës, madrilenët përmbysën përkohësisht sfidën me Mbape dhe Tçuamenit në minutat 70 dhe 77, ndërkohë që goli i Ferran Torres në minutën e 84-t, çoi ndeshjen në shtesa.
Pak sekonda para fundit të takimit Barcelona fitoi penallti me Raphinhan, por ajo u anulua nga gjyqtari pas rishikimit nga VAR-i.
Të besuarit e Hansi Flick ia dolën ta fitojnë ndeshjen në kohën shtesë duke realizuar për 3-2 në minutën e 117-të me Jules Kounde.
Kjo ishte finalja e dytë këtë edicion që Barcelona e mposht Real Madridin pas triumfit në Superkupën e Spanjës me rezultat 5-2.
FT BARCELONA-REAL MADRID 3-2
28′ Pedri, 84′ F.Torres, 116′ Kunde / 70′ Mbape, 77′ Tçuameni







