FIFA ka gjobitur me 161 500 franga zviceriane Federatën Shqiptare të Futbollit, si masë disiplinore për ndeshjen e zhvilluar kundër Serbisë në datën 7 qershor 2025 në stadiumin “Arena Kombëtare”. Gjithashtu ndeshja e radhës në shtëpi kundër Letonisë do të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për tifozët.
Argumenti i këtyre masave është për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese nga një pjesë e tifozëve shqiptarë, përfshirë: këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh në fushë, ndezje fishekzjarrësh, gjeste dhe mesazhe të papërshtatshme për një event sportiv, si dhe ndërprerje gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare.
Në një reagim publik, FSHF e konsideron këtë vendim një ndëshkim serioz që prek të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, duke dëmtuar jo vetëm institucionin e saj, por mbi të gjitha Kombëtaren.
FSHF u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve kuqezi të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.
“Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton,” thekson Federata në komunikatën e saj.