Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer disa arrestime dhe janë referuar materiale për procedim penal ndaj disa shtetasve të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Në Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 20 vjeç, pasi dyshohet se prej katër muajsh ka përndjekur një vajzë 17-vjeçare. Rasti u evidentua pas kallëzimit të së miturës dhe hetimeve të kryera nga policia.
Ndërkohë, në Lushnjë, u arrestua shtetasi Xh. T., 30 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në rrugë.
Po ashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve nisën procedim penal ndaj një të mituri 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën disa doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në një tjetër rast, në Lushnjë, janë proceduar penalisht edhe disa shtetas për dhunë fizike. Shtetasi V. H., 35 vjeç, banues në Bulqizë, dyshohet se ka goditur me grushte një shtetas rus 34-vjeçar për motive të dobëta. Ndërsa shtetasit G. S., 26 vjeç dhe E. B., 32 vjeç, banues në Lushnjë, janë proceduar pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme ligjore.







