Partia Socialiste po përgatit një festë të madhe mbrëmjen e së hënës për të “kurorëzuar” fitoren e 11 Majit, një fitore që më shumë ngjan me një garë pa rivalë sesa me një provë të vërtetë demokratike. Ftesat janë shpërndarë në grupet e komunikimit të përdorura gjatë fushatës, ku theksohet se eventi do të zhvillohet në orën 18:00, në ambientet luksoze të Pallatit të Brigadave.
Të ftuar janë kandidatët socialistë që garuan më 11 maj, por edhe drejtuesit e fushatës dhe strukturat e partisë që u mobilizuan për të garantuar një “fitore të sigurt” në disa raste, pa kundërshtarë realë. Festa duket më shumë si një mbrëmje vetëkënaqësie për pushtetin, sesa një reflektim mbi përfaqësimin qytetar apo demokracinë.
Nga ajo që mësohet, do të ketë fjalime nga drejtuesit politikë, muzikë, dekor dhe shumë duartrokitje, një skenar i njohur që PS e përdor prej vitesh për të konsoliduar imazhin e saj të pathyeshëm, edhe kur pjesëmarrja në votime lë për të dëshiruar. Organizimi në një nga godinat më simbolike të elitës shtetërore, Pallati i Brigadave, i jep festës një shije të fortë triumfalizmi dhe ndarje nga realiteti i qytetarëve të zakonshëm.
Kundërshtarët e qeverisë e kanë cilësuar ngjarjen si një “paradë të autokritikës së munguar”, ndërsa për vetë socialistët është një mundësi për të rikonfirmuar që janë më shumë se një parti politike janë një makinë pushteti, e mirëvajtur dhe e vetëfestuar.







