FLASH:

Festë futbolli me 6 gola spektakolarë në Spanjë, Barcelona dhe Interi lënë gjithçka për sfidën e kthimit

Barcelona dhe Interi kanë dhuruar një përballje të parë spektakolare mes tyre në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, në një sfidë të mbyllur me shifrat 3-3 që lënë gjithçka të hapur për duelin e javës së ardhshme në Itali.

Ndeshja filloi me gol pas pak sekondash, pasi ishte Interi që shënoi me Turam pas një goditje me finte, ndërsa pak më vonë gjeti edhe golin e dytë me një “gërshërë” të Dumfris. Përgjigja e shpejtë e Barcelonës me një gol spektakolar individual të Jamal i dha më shumë vrull katalanasve, të cilët sulmuan dhe gjetën edhe golin e barazimit me anë të Ferran Torres.

Katalanasit vazhduan të dominonin me lojë e me raste, por çdo gjuajtje në katërkëndor e Interit përfundonte në rrjetë. Kështu ndodhi edhe me golin e tretë të Dumfris pas një goditje këndi. Por edhe këtë herë katalanasit nuk vonuan të barazonin kur një gjuajtje e Rafinjas e kthyer nga traversa u përplas te Zomer e shkoi në rrjetë.

Interi pa t’i anulohej goli i katërt për një pozicion jashtë loje, ndërsa traversa i mohoi golin e radhës Jamal. Kësisoj, ndeshja u mbyll me një barazim spektakolar 3-3, që lë gjithçka hapur për duelin e kthimit në Itali.

BARCELONA-INTER 3-3

24′ Jamal, 38’ Ferran Torres, 65′ (ag) Zomer / 1′ Turam, 21′, 63′ DumfriS