Festa për 34-vjetorin e Partisë Socialiste nuk ka kaluar pa tensione. Ndërsa atmosfera ishte e mbushur me urime, batuta dhe trokitje gotash, një episod i pazakontë ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve dhe mediave: një përplasje me tone të ashpra mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Pas përfundimit të fjalimit të tij festiv, ku Rama si zakonisht nuk kurseu batutat ndaj kolegëve të partisë, ai zbriti nga podiumi për të përshëndetur të pranishmit. Por kamerat kanë kapur një moment tensioni mes tij dhe Dredhës, me kryeministrin që shihet duke i folur në mënyrë të ashpër. Mësohet se debati ka lidhje me situatën problematike të krijuar nga zjarret në fushën e mbetjeve në Vlorë, të cilat përfshinë një sipërfaqe të madhe dhe shkaktuan ndotje masive të ajrit, alarmuan banorët dhe sollën reagime të forta në rrjetet sociale. Tymrat e dendur u përhapën deri në zona të banuara, duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë dhe menaxhimin e emergjencave nga ana e autoriteteve vendore. Mesa duket, Rama nuk e ka përtypur mirë mënyrën se si është trajtuar situata në qytetin bregdetar, një nga bastionet e rëndësishme elektorale të PS-së.







