FLASH :

Ferri në tokë/ Momenti kur vajza e vogël nxirret gjallë nga rrënojat, pasi Izraeli bombardon shkollën në Gaza

Një nga episodet më tronditëse të ofensivës izraelite ndaj Gazës ka ndodhur në lagjen Al-Daraj, ku një sulm ajror goditi shkollën “Fahmi Al-Jarjawi”, e përdorur si strehë për civilë të zhvendosur nga luftimet. Sulmi ndodhi në orët e natës, ndërsa dhjetëra familje ndodheshin brenda në gjumë. Shkolla u përfshi nga flakët, ndërsa dhjetëra civilë u gjetën të vdekur në rrënojat e përzhitura.

Pamje të rënda të shpërndara nga vendngjarja tregojnë civilë dhe ekipe shpëtimi duke gërmuar në mbeturinat e djegura për të nxjerrë të mbijetuarit. Një vajzë e vogël, me trup të djegur rëndë, u shpëtua gjallë nga rrënojat, ndërsa një fëmijë tjetër shihet në video duke u përpjekur të shpëtojë nga dritarja mes tymit dhe flakëve. Më shumë se 30 civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, janë konfirmuar të vrarë.

Ky sulm është vetëm një nga dhjetëra sulmet ndaj infrastrukturës civile në Gaza, të cilat kanë shkaktuar dënim të ashpër ndërkombëtar. Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar goditjen e shkollave dhe objekteve të mbrojtura si krime lufte. “Të bombardosh një shkollë ku fshihen fëmijë nuk është vetëm tragjedi – është akt i qartë barbarie”, deklaroi një përfaqësues i Human Rights Watch. Sulmi mbi shkollën në Al-Daraj është tashmë simboli më i dhimbshëm i asaj që shumë po e quajnë “fshirja sistematike e jetës civile nga Gaza”.