FLASH :

“Ferr bregdetar” pa turizëm, por me parkim të mirë – Skegness merr më në fund një shpëtim prej 23 milionë paundësh

SKËGNESS – Një qytet në Lincolnshire, që dikur u etiketua si “vendi bregdetar më i keq në Britani”, pritet t’i nënshtrohet një transformimi të madh falë një investimi prej 23 milionë paundësh, me synimin për të rikthyer turistët në zonë.

Skegness, i përshkruar si një “ferr vulgar” me “det ngjyrë kafe”, u rendit në fund të sondazhit të revistës Which? në vitin 2023 për vendpushimet bregdetare në Mbretërinë e Bashkuar. Vetëm një vit më vonë, në të njëjtin sondazh që përfshinte 120 qytete bregdetare, ai u ngjit në vendin e pestë nga fundi. Vizitorët i dhanë vetëm një yll për peizazhin dhe ndotjen akustike, dhe nga dy yje për ushqimin, pijet, blerjet dhe atraksionet turistike.

Megjithatë, kishte një fushë ku Skegness vazhdimisht merrte vlerësime pozitive: parkimi – një detaj i papritur por i vlerësuar nga drejtuesit e mjeteve.

Qyteti dikur lulëzonte në shekullin XIX, kur hekurudhat e bënin një arratisje të përballueshme për familjet punëtore. Por mungesa e investimeve në shërbimet turistike dhe infrastrukturë ndër vite ka zbehur ndjeshëm tërheqjen e tij.

Tashmë, fati i Skegness mund të ndryshojë. Kompania East Midlands Railway (EMR) ka ndërmarrë një projekt të gjerë për përmirësimin e lidhjeve hekurudhore, që përfshin edhe qytetin bregdetar. Më 15 prill, EMR prezantoi trenin e saj të parë të rinovuar të tipit Class 170, pjesë e një investimi më të madh prej 60 milionë paundësh në flotën e saj.

Këto përmirësime pritet të lehtësojnë dhe rrisin ndjeshëm udhëtimet drejt Skegness në linjën Nottingham–Skegness përmes Grantham. Udhëtimi zgjat më pak se dy orë dhe çmimi i biletës nëse rezervohet paraprakisht mund të shkojë deri në vetëm 4.05 paund.

Trenat e rinovuar përfshijnë sedilje moderne, dysheme të re dhe tualete të përmirësuara – një hap drejt rilindjes së një qyteti që për dekada ka qenë simbol i rënies së turizmit britanik bregdetar.