FLASH:

Fero heq Nita Bajramin nga lista e ndjekjeve në rrjete sociale, dyshohet për ndarje të re në jetën e reperit

Reperi i njohur kosovar, Feronit Shabani, i njohur si Fero, duket se po përjeton një tjetër kapitull të trazuar në jetën e tij personale. Pak kohë pasi konfirmoi martesën me modelen Nita Bajrami, pas ndarjes nga Arbenita Ismajli, ai ka bërë një veprim që ka ngjallur dyshime për një ndarje të mundshme.

Fero ka hequr nga lista e ndjekjeve në rrjetet sociale Nitën, një veprim që për shumë ndjekës dhe media shihet si sinjal i një krize apo ndarje në çift. Mediat raportojnë se mosmarrëveshjet e shumta mes tyre mund të kenë sjellë vendimin për të dhënë fund lidhjes.

Kujtojmë se pas ndarjes nga Arbenita Ismajli, me të cilën ka një vajzë, Nina, Fero u përkushtua ndaj fesë islame dhe shpalli një fillim të ri në jetën personale dhe artistike. Në atë periudhë, reperi shprehej publikisht për dashurinë e madhe ndaj gruas së tij të re dhe besimin e përbashkët që i lidhte.

“Jam i dashuruar, me të thënë të drejtën nuk ma kishte marrë mendja se do dashurohesha kaq shpejt, por jam dashuruar si kurrë më parë,” deklaronte ai më parë. Madje, kishte paralajmëruar edhe publikimin e disa këngëve romantike, duke lënë pas të kaluarën e vështirë.

Lajmin për martesën me Nitën, Fero e dha vetë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruante “Just married” (Të sapomartuar). Megjithatë, përplasjet e shumta të reperit me Arbenitën për kujdestarinë e vajzës, përfshirë akuza publike të ashpra, nuk kanë munguar.

Pas divorcit, Fero akuzoi Arbenitën për dëshirën për një jetë luksoze dhe për “shitje të trupit” në Dubai, duke ngritur tensione të forta në media dhe rrjetet sociale.

Pavarësisht angazhimit të tij në muzikë dhe rikthimit si artist, fansat e reperit janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në jetën private të tij, ndërsa as Fero dhe as Nita nuk kanë bërë ndonjë deklaratë zyrtare për situatën aktuale.

Publiku mbetet në pritje të ndonjë konfirmimi apo sqarimi nga ana e çiftit, ndërsa historia personale e reperit mbetet një temë që ngjall interes dhe diskutime të shumta në rrjete sociale.