FLASH :

Fero dhe Nita Bajrami nuk janë ndarë – burime: “Çiftit i hoqën njëri-tjetrin nga Instagrami për arsye profesionale”

Prej disa ditësh në rrjetet sociale kanë qarkulluar aludime për një ndarje mes reperit Fero dhe bashkëshortes së tij, modeles Nita Bajrami, vetëm pak javë pas martesës së tyre. Dyshimet u ndezën pasi çifti i hoqi njëri-tjetrit ndjekjen në Instagram, një veprim që shpesh nënkupton krisje në marrëdhënie.

Por sipas burimeve për emisionin “Prive”, lidhja mes Feros dhe Nitës vazhdon normalisht dhe ndryshimet në rrjetet sociale janë bërë për arsye profesionale.

Fero, emri i vërtetë i të cilit është Feronit Shabani, u martua së fundmi me Nitën, pasi i dha fund martesës së tij të parë me modelen Arbenita Ismajli, me të cilën ka edhe një vajzë. Pas divorcit, ai deklaroi tërheqjen nga muzika për t’iu përkushtuar fesë islame, por së fundmi është rikthyer në skenën muzikore.

Martesa e tij e mëparshme me Arbenitën përfundoi me përplasje të forta publike. Reperi ka akuzuar ish-bashkëshorten për pengim të takimeve me vajzën e tyre dhe për një jetë të orientuar drejt luksit, duke përmendur edhe pretendime të rënda për jetesën e saj në Dubai. Ai është shprehur se marrëdhënia u prish pasi Arbenita donte më shumë liri dhe e akuzoi se e përdori vajzën për të dëmtuar imazhin e tij.

Në një intervistë për “Glamour Zone”, Fero deklaroi gjithashtu se kishte qenë viktimë e një inskenimi për dhunë në familje, duke thënë se akuzat ndaj tij për dhunë fizike ishin të sajuara dhe se ndalimi i tij për një muaj në burg kishte ndodhur vetëm për thyerjen e telefonit të partneres, jo për dhunë fizike.

Pavarësisht zhurmës në rrjete, burimet pranë çiftit të ri konfirmojnë se martesa mes Feros dhe Nitës nuk është në krizë dhe se gjithçka është një keqkuptim i ndikuar nga rrjetet sociale.