Një fermer francez është bërë viral në internet pasi përdori pleh të lëngshëm me erë të rëndë për të larguar dhjetëra romë që kishin pushtuar tokën e tij. Pierre Richard, 37 vjeç, nga fshati Le Syndicat në rajonin Vosges, tha se u detyrua të vepronte pasi policia i tha se nuk mund të bënte asgjë.
Pamjet e shpërndara në rrjete sociale më 8 korrik tregojnë dhjetëra karavana dhe makina – përfshirë edhe një Ferrari të kuqe – të vendosura në një parcelë prej gjashtë hektarësh të përdorur për rritjen e barit për 50 lopët e tij. Richard dhe një tjetër fermer shihet duke spërkatur me traktor plehun drejt zonës ku kishin zënë vend karavanët, ndërsa disa romë të zemëruar i ndjekin dhe madje përpiqen të hipin në kabinën e traktorit.
Fermeri tha se karvani prej 250 karavanësh po udhëtonte drejt festivalit fetar rom “Life and Light” në Grostenquin, që mbledh rreth 30 mijë pjesëmarrës çdo vit, por kishte refuzuar një zonë të miratuar për vendosjen e tyre, duke preferuar tokën e tij “me pamje të bukur, bar të gjelbër dhe pranë lumit”.
Sipas tij, prania e tyre dëmton tokën dhe ndot lumin me mbetje njerëzore, ndërsa u hapin hidrantët e ujit duke harxhuar qindra litra në ditë. “Çdo vit bëhet më keq. Ata shkatërrojnë barin, tokën dhe burimet e ujit. Këtë vit madje erdhën edhe me Ferrari. Familja ime ka punuar këtë tokë për pesë breza dhe nuk do të ndalemi,” tha ai.
Një fermer tjetër i zonës, Dominic Frenot, e quajti Richard-in “shumë të guximshëm” dhe tha se banorët janë të lodhur nga pushtimet e përvitshme që shkaktojnë dëme, ndotje dhe trazira. Videoja e incidentit ka grumbulluar miliona shikime dhe ka ndezur debat mbi mungesën e ndërhyrjes së autoriteteve në raste të tilla.