FLASH :

Fermerët e Roskovecit të falimentuar – Shalqiri kalbet në arë, fermerët: S’ka treg!

Çmimi i ulët dhe mungesa e tregut ka gjunjëzuar fermerët e Roskovecit të cilët kultivojnë shalqirin. Ata thonë se këtë vit më shumë se gjysma e prodhimit ka mbetur në ara, ndërsa deklarojnë se çmimet që ofron tregu nuk mbulojnë as kostot minimale të prodhimit. Fermerët kërkojnë ndihmë nga shteti për të përballuar humbjet e shkaktuara, nga mbetja e prodhimit stok.

Shalqinjtë e kalbur në ara janë kthyer në problematikën më madhore të fermerëve të fshatrave të Roskovecit. Në indinjuar nga situata ata shprehen se prodhimi i tyre ka mbetur në ara, pa shitur. Çmimi i shitjes është 5 lekë për kilogramë kundrejt 20 lekëve që duhej të ishte për të justifikuar kostot e prodhimit. Fermerët thonë se miliona lekë dëme, i kanë demoralizuar, ndërsa shprehen se preferojnë që më mirë ta lënë prodhimin të kalbet në ara, sesa ta shesin me një çmim kaq të lirë.

Mungesa e kërkesës për eksport thonë fermerët ka krijuar një ngërç të tillë, ndërsa dhe pikat e grumbullimit po refuzojnë ta mbledhin për shkak të mbiprodhimit dhe mungesës së tregut.

Në zonën e Roskovecit kultivohet çdo vit rreth 200 hektarë tokë me bostanore, por ky vit i ka nxjerrë të gjithë fermerët me humbje. Përballë kësaj situate ata pohojnë se do të braktisin tokat, ndërsa apelojnë institucionet përgjegjëse të kthejnë sytë te fermerët e veçanërisht atyre të  Myzeqesë, zonë e njohur si hambar i Shqipërisë.