FLASH :

Fenomeni i braktisjes në Shqipëri, i moshuari digjet vetëm në shtëpi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Bulqizës, ku kati i parë i një pallati është përfshirë nga flakët. Për pasojë, ka humbur jetën Xhevdet Cara, rreth 80 vjeç, i cili jetonte vetëm me bashkëshorten e tij. Në momentin e ngjarjes, gruaja nuk ndodhej në shtëpi, ndërsa shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura. 

Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Mëngjesin e  sotëm, rreth orës 09.10,  në  qytetin e vjetër  Bulqizë, në katin e parë të një pallati, në banesën e shtetasit Xhevdet Cara, ka rënë zjarr.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë ku kanë bërë të mundur nxjerrjen nga banesa të shtetasit Xhevdet Cara, i cili ka humbur jetën në spital”, informoi sot policia.

Ky është vetëm një nga dhjetra raste që ndodhin çdo ditë në Shqipëri, ku të moshuarit detyrohen të jetojnë vetëm, larg nga fëmijët dhe të harruar nga shteti. Ata jetojnë në kushte të vështira, ku mundohen të përballojnë pleqërinë pa përkujdesjen që meritojnë dhe me një pension që nuk ju mjafton as për ilaçet që marrin.

Emigrimi i të rinjve në vendin tonë sa vjen dhe rritet, dhe sidomos në zonat rurale. Shtegu për mundësinë e një jete më të mirë, detyrojnë të rinjtë të lënë pas prindërit e tyre, vendin e tyre, ndoshta dhe të ardhmen e tyre ku fare mirë mund ta ndërtonin këtu ku kanë lindur e ku kanë njerëzit e zemrës. Njësoj dhe rasti i Xhevdet Carës, ku të qënurit vetëm dhe mungesa e një ndihme të shpejtë, solli një fund fatal. Mirëpo a është ky faji i të rinjve që kërkojnë një të ardhme më të mire apo një sistem i dështuar me të cilin po jetojmë çdo ditë?

Nëse flasim për qendrat sociale, ato janë të pakta dhe azilet publike janë në kushte të mjerueshme. Ngjarje si kjo në Bulqizë nuk duhet të trajtohen vetëm si fatkeqësi individuale apo çështje sociale, por si një reflektim për shoqërinë.