Një problem i rëndë social është trajtuar nga emisioni “Fiks Fare”, ku në qendër janë vendosur 28 fëmijë nga fshati Jubë në Durrës, të cilët po rrezikojnë të braktisin shkollën për shkak të mungesës së transportit. Fëmijët që jetojnë në zonën e Grykëderdhjes së Erzenit janë lënë jashtë skemës së transportit falas, që deri para pak vitesh e përfitonin rregullisht.
Shkaku? Një vendim i Këshillit të Ministrave, nr. 119, datë 01.03.2023, që përjashton nga kjo ndihmë çdo nxënës që ka një shkollë publike “brenda njësisë administrative”, edhe nëse ajo ndodhet disa kilometra larg. Në këtë rast, shkolla “Juba” ndodhet 4 km nga shtëpitë e fëmijëve, ndërsa shkolla “Rinia”, vetëm 3 km larg, ndodhet jashtë njësisë së tyre – prandaj nuk quhet “e vlefshme” për transport.
Prindërit nuk kanë më mundësi të paguajnë 5 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë për një furgon privat. “Fëmijët ose do shkojnë në këmbë ose s’do shkojnë fare në shkollë,” thonë ata me shqetësim. Edhe drejtoresha e shkollës “Rinia”, znj. Irdajina Llapushi, ka konfirmuar se kjo është shkolla më e afërt për fëmijët, por autoritetet arsimore, si DRAP Durrës dhe Zyra Vendore Arsimore, fshihen pas tekstit të VKM-së.
E trishta është se askush nga institucionet, përfshirë Ministrinë e Arsimit, nuk ka marrë asnjë hap për të rishikuar këtë vendim absurd. Ndërkohë, fëmijët e Jubës ecin çdo ditë kilometra nëpër rrugë të rrezikshme, nën shi e baltë, vetëm për të ndjekur një të drejtë kushtetuese: arsimin.







