Nga Maksi Çami
Është verë, sezoni pa lajme, kur politikanët populistë kërkojnë çdo rast për të qëndruar në qendër të vëmendjes. Këtë herë, protagonistët e skenës janë Nigel Farage, mjeshtri britanik i populizmit anti-emigracion, dhe Edi Rama, kryeministri artist që e ka kthyer komunikimin politik në spektakël personal. Sherri mes tyre, që nisi si një debat mbi shifrat e të dënuarve shqiptarë në Britani dhe përfundoi me meme me rroba banje viktoriane, është një shembull i pastër i asaj që britanikët e quajnë PR stunt një spektakël për media, pa asnjë peshë reale për jetët e njerëzve që ata përmendin.
Farage deklaroi me bujë se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, duke sfiduar Ramën që t’i marrë të gjithë mbrapsht nëse do të tregonte “mirësjellje” ndaj vendit mikpritës. Rama, i njohur për ironinë e tij, e quajti këtë shifër “të çmendur” dhe një “klasik i post-së-vërtetës Brexit”, duke e ftuar Farage-in të vizitojë Shqipërinë si “i ftuar nderi” nëse statistika dilte e rreme. Dhe kështu nisi loja: një britanik që shan, një shqiptar që kthehet me sarkazëm, dhe një mori klikimesh e reagimesh nga të dy anët e publikut.
Por çfarë fitohet nga ky sherr? Absolutisht asgjë. Të burgosurit shqiptarë në Angli nuk do ta kenë më të lehtë jetën e tyre në qeli sepse Rama postoi një meme gazmore. Nuk do të transferohen më shpejt në Shqipëri sepse Farage kërkoi kthimin e tyre me forcë. Mbi të gjitha, asgjë nuk bëhet për të kuptuar pse ka mijëra shqiptarë që rrezikojnë jetën duke kaluar kanalin me gomone për të shkuar në Britani.
Problemi nuk është tek Farage apo tek Rama si individë, por tek mënyra si politika moderne ushqehet me konflikte të kota. Farage nuk është më as deputet; ai jeton nga fama dhe nga retorika që e paraqet si mbrojtës i Britanisë nga të huajt. Rama, nga ana tjetër, është mjeshtër në kthimin e çdo sulmi në lavdi personale: i mjafton të mbrojë “nderin e kombit” dhe mbulon dështimet e qeverisjes së tij, që nga korrupsioni i përhapur e deri te shpopullimi dramatik i vendit. Sepse kjo është e vërteta që asnjëri prej tyre nuk e prek: Shqipëria mbetet një nga vendet më të korruptuara të Europës. Çdo vit, mijëra shqiptarë ikin nga vendi për të kërkuar jetë më të mirë, dhe jo pak prej tyre përfundojnë në skema kriminale ose në punë të paligjshme, vetëm për të mbijetuar. Ndërkohë, të burgosurit shqiptarë në Britani nuk janë thjesht “shifër turpi” për Farage apo “armë politike” për Ramën. Ata janë individë, shpesh të rënë pre e rrjeteve të trafikut dhe mungesës së perspektivës në vendlindje. Asnjë debat në Twitter nuk do t’i ndihmojë të riintegrohen, as të edukohen, as të kthehen të shëndetshëm në shoqëri.
Ky sherr është vetëm teatër. Një shfaqje ku të dy liderët kanë gjetur kundërshtarin ideal për të prodhuar zhurmë pa rrezikuar asgjë. Farage forcon pozicionin e tij si tribun i britanikëve që “nuk duan të huaj”. Rama del si hero kombëtar, mbrojtës i shqiptarëve nga “shpifjet e të huajve”. Ndërkohë, asnjë problem nuk zgjidhet. Shqiptarët vazhdojnë të largohen nga një vend pa shpresë, të dënuarit mbeten në qeli pa zgjidhje të reja ligjore apo sociale, dhe dy politikanë populistë festojnë edhe një fitore tjetër PR-i në llogaritë e tyre personale.
Shkurt, kjo është një zënkë vere për titujt e gazetave, një duel mediash i pavlerë, një spektakël i radhës që ushqen egon e protagonistëve, por jo mirëqenien e njerëzve që përmenden si pretekste. As Farage, as Rama nuk meritojnë duartrokitje. Meritojnë vetëm indiferencën tonë. Sepse ata po luftojnë për vëmendjen tonë, jo për të ardhmen tonë.