Dita e Babait në rrjetet sociale është zakonisht e ngrohtë dhe prekëse. Meghan tregoi anën argëtuese të Princit Harry si baba, përmes disa fotografive të papublikuara më parë me Archie dhe Lilibet.
David Beckham publikoi foto private me katër fëmijët e tij, si një gjest i ëmbël paqeje ndaj djalit të larguar Brooklyn, i cili ishte pjesë e tyre.
Por jo, nëse je Justin Bieber. Postimet e tij në Ditën e Babait – rreth 20 gjithsej – përfshinin përdorim droge, një grindje me një mik të vjetër të cilin e quajti “p***”, dhe më tronditësja, një referencë ndaj bashkëshortes Hailey si “një ku*ë e vogël” (“lil ho”).

Në postime kishte edhe përdorime të shumta të emotikonit me gishtin e ngritur – dukshëm mesazhi që donte t’u jepte 294 milionë ndjekësve në Instagram.
Shumë janë të bindur se kjo sjellje shqetësuese që zgjati gjashtë orë – nga ora 14:00 deri në 20:00 në Ditën e Babait – është shenjë e një rënieje të rëndë të shëndetit mendor.
Më pas, në orën 05:50 të mëngjesit, ai postoi një “story” të gjatë në Instagram ku rrëfente se ndjehej “i thyer”, “i zemëruar” dhe “i rraskapitur” nga mendimet e vazhdueshme për veten. Fillonte: “Njerëzit më thonë të shërohem. A nuk mendoni se nëse do mundesha, do ta kisha bërë? E di që jam i thyer. E di që kam probleme me zemërimin.”

Rënia e dukshme vjen në një kohë kur Bieber duket se mburret për përdorimin e vazhdueshëm të drogës.
Një nga fotot e Ditës së Babait tregon dorën e tij duke mbajtur një “joint” të tymosur pothuajse tërësisht.

Në mënyrë shqetësuese, dy video janë filmuar nga vetë Bieber ndërsa qëndron i shtrirë në dysheme, duke xhiruar këmbët e tij me shapka. A është shumë i droguar për të qëndruar në këmbë?
Shumë postime konfuzuese tregojnë gishtat e këmbëve, fytyrën apo trupin e tij. Në një seri fotosh, drejt fundit të postimeve, ai buzëqesh me sy të turbullt pas një pale syzesh të kuqe. Më pas vjen një video me një bong mbi një tavolinë pranë pishinës. Nuk ka më asnjë gjurmë nga adoleshenti i bukur, me talent të jashtëzakonshëm dhe i lirë, që pushtoi botën.


Dhe ku është kënaqësia që pritet nga një njeri i pasur, i suksesshëm, me një bashkëshorte bukuroshe dhe një foshnje dhjetëmuajshe të quajtur Jack Blues?
Është e vështirë të mos mendosh se çfarë e theu Justin Bieber ishte ngritja e tij e menjëhershme nga anonimiteti i varfër në Ontario, Kanada, në një nga artistët më të mëdhenj të muzikës në botë – pa mbrojtjen e duhur nga prindërit, menaxhmenti apo kompania diskografike.
U zbulua nga Scooter Braun në YouTube në moshën 13-vjeçare dhe nënshkroi kontratë me Braun dhe Usher në moshën 14 vjeç. Singëlli i parë doli kur ai ishte 15 dhe albumi debutues arriti majat e klasifikimit në SHBA në vitin 2010, kur sapo kishte mbushur 16 vjeç.
Ai u shit si një adoleshent i pastër, fetar, djali fqinj ideal. Por grabitqarët qenë aty që në fillim.

Kur Bieber ishte 15 vjeç dhe po bëhej i famshëm, u intervistua me P Diddy – i njohur si Sean Combs – i cili aktualisht gjykohet për trafik seksual dhe zhvatje.
Combs, 24 vjet më i madh, deklaronte: “Po kalon 48 orë me Diddy-n, ku do shkojmë dhe çfarë do bëjmë nuk mund të themi. Por është ëndrra e çdo 15-vjeçari.”
Justin i thotë mikut të tij: “Le të gjejmë ndonjë vajzë,” dhe Combs ia kthen: “Djalë sipas zemrës sime. Kjo më pëlqen.”
Nuk ka prova që Diddy e ka abuzuar, por koha e këtij shpërthimi, ndërkohë që Diddy është në gjyq, ka nxitur spekulime se Bieber është vënë në situata psikologjikisht shkatërruese për një adoleshent.
Në moshën 20-vjeçare u arrestua për drejtim nën ndikimin e drogës dhe alkoolit në një garë të çmendur në mëngjes herët në Miami Beach.
Ka qenë i hapur në intervista për mënyrën si kanabisi u zëvendësua me varësi nga ilaçet me recetë dhe si gjendja u bë aq serioze saqë truproja e kontrollonte nëse kishte puls gjatë gjumit.
Thotë se është i pastër që nga arrestimi për DUI në 2014.
Këtë vit, kur qarkulluan foto të tij të zbehtë, të rraskapitur dhe të paqëndrueshëm, ekipi i tij PR u përpoq të minimizonte gjithçka. Një burim tha se narrativa për shëndetin e tij mendor dhe fizik është “e lodhshme dhe e turpshme dhe tregon se njerëzit vazhdojnë me këmbëngulje të përhapin histori negative dhe të dëmshme.”
Brenda pak javësh, ai vetë postoi foto me një bong gjigant në prehër dhe duke repuar për “fluturime të larta”.
Në foto të tjera, fytyra i mbulohej nga tymi, ndërsa mbante një joint. Ekipi nuk komentoi për postimet e fundit.
As nuk u shpreh për gjendjen e qartë të rënduar emocionale.
Ai postoi screenshots të një bisede me një mik ku shkruante: “T’i thuash një personi të traumatizuar të mos jetë i tillë, është thjesht mizore.”
Po me Hailey-n çfarë po ndodh? Në një postim, ai tregon një orë ari Audemars Piguet dhe çanta Prada, duke shkruar: “Gëzuar Ditën e Babait për mua, ti ku*ë e vogël.”
A mundet të jetë vërtet Hailey ajo “lil ho”?
Do të mund ta cilësoje si shaka mes tyre, po të mos ishte për faktin që Hailey nuk i uroi Ditën e Babait. Një mungesë e rëndësishme, pasi ishte Dita e tij e parë si baba dhe, sipas postimeve, e kishin kaluar ditën së bashku. E megjithatë ajo nuk postoi asgjë për të.
Në Ditën e Nënës, muajin e kaluar, Hailey postoi shumë foto me djalin e tyre – Bieber nuk dukej në asnjërën.
S’është çudi që fansat mendojnë se ata janë ndarë dhe po shfaqen bashkë vetëm për të bashkëprindëruar Jack-un.
Zërat u shtuan kur Hailey, njëkohësisht me largimin e dukshëm nga romanca me Justin, nënshkroi një marrëveshje një-miliardë dollarëshe me firmën amerikane të kozmetikës Elf Beauty për markën e saj Rhode.
California është një shtet me pasuri të përbashkët – çka do të thotë se në rast divorci, pasuritë e fituara gjatë martesës ndahen përgjysmë. Por nëse Hailey i merr këto para pas ndarjes, ajo mund t’i mbajë të gjitha.
Justin dhe Hailey u takuan për herë të parë në prapaskenë të emisionit Today të NBC-së në 2009, kur babai i Hailey-t, aktori Stephen Baldwin, e prezantoi me të. Hailey ka pranuar se ishte ‘superfanse’ e Justin-it dhe në një intervistë me Vogue, tha me shaka se kishte një ‘eliksir’ në çantë që ia kishte bërë një magjistare për ta bërë Justin-in ta dashuronte.
“Babai më çoi tek kjo grua në male dhe ajo përgatiti këtë për mua. Tha se do të bënte një yll pop kanadez të më binte në dashuri. Po, e kam marrë që atëherë.”
Ishte një shaka ndaj atyre që ende e fajësojnë Hailey-n për ndarjen e Justin-it me Selena Gomez (u ndanë përfundimisht në mars 2018, Selena tani është e fejuar me producentin Benny Blanco).
Justin dhe Hailey u martuan në një gjykatë në Manhattan në shtator 2018, pas një romance 12-javëshe dhe një miqësie 10-vjeçare. Në një intervistë me Vogue në shkurt 2019, ata pranuan se po shkonin te këshilltari martesor. Hailey tha: “Martesa është shumë e vështirë. Kjo është fjalia me të cilën duhet të fillosh. Është jashtëzakonisht e vështirë.”
Shtatë muaj më vonë, më 30 shtator 2019, bënë një “martesë të dytë” – një ceremoni fetare 500 mijë dollarëshe në resortin luksoz Montage Palmetto Bluff.
Më 9 maj 2024, Justin dhe Hailey rinovuan betimet martesore, duke shpallur edhe shtatzëninë.
Hailey e shfaqi barkun e rrumbullakosur me një fustan elegant Saint Laurent në një video që mori mbi 12 milionë pëlqime. Kur Jack Blues lindi në gusht 2024, ajo tha se fëmija e kishte ndryshuar “nga koka te këmbët”.
Por në mars të këtij viti, fansat dyshuan për ndarje pasi vunë re se Hailey e kishte “unfollow-uar” Justin-in. Ajo e mohoi duke thënë: “Është një gabim i Instagram-it!”
Ajo shkoi vetëm në Met Gala, por Justin komentoi në fotot e saj: “E pashë. Më pëlqeu. E dua.”
Muajin e kaluar, në Ditën e Nënës, Hailey postoi foto shtatzënë dhe me Jack-un, por asnjë me Justin-in.
Ndërkohë, Justin shkroi: “Ju dua nënat, por Dita e Nënës është mut.”
Gjithashtu ofendoi Hailey-n sërish kur ajo bëri kopertinën e parë të Vogue: “Më kujton kur u zura keq me Hailey-n, i thashë që s’do ishte kurrë në Vogue, e di, e keqe, por thjesht doja të hakmerresha.”
Justin vazhdoi: “Sa më shumë rritemi, kuptojmë që hakmarrja nuk ndihmon. Thjesht zgjat mungesën e lidhjes së vërtetë.”
Nuk mund ta fajësosh Hailey-n nëse ka humbur durimin me burrin e saj të trazuar. Tani 31 vjeç, ai s’ka nxjerrë një album që prej 2021 dhe ka pasur zëra – të mohuar – për probleme financiare pas anulimit të një turneu në 2022 për arsye shëndetësore.
Shumë fansa në Instagram shprehen të shqetësuar për të dhe e lusin të kërkojë ndihmë. Por Justin thotë se nuk mund të ndihmohet.
Plot dëshpërim, shkruan: “Kam provuar gjithë jetën të bëhem si ata që më thoshin të ndryshoja. Dhe kjo më lodh më shumë. Sa më shumë përpiqem të rritem, aq më shumë përqendrohem tek vetja. Jezusi është i vetmi që më shtyn të mendoj për të tjerët. Sepse sinqerisht, jam lodhur duke menduar për veten. Apo jo edhe ju?”