Një familje nga Ridgely, Tennessee ka habitur opinionin publik pasi arriti të shpëtojë shtëpinë e saj nga përmbytjet shkatërrimtare duke ndërtuar një dike mbrojtëse me forcat e veta. Pamjet ajrore të publikuara më 8 prill tregojnë një shtëpi të vetme, të madhe dhe të thatë, e rrethuar nga ujëra të turbullta që kishin mbuluar lagjet përreth. Ndërkohë që reshjet ekstreme bllokuan mbi 100 banorë, shtëpia e familjes Humphrey mbeti e paprekur.
Nuk dihet saktësisht kur dhe si u ndërtua diga, por sipas banorëve lokalë, familja e ka ngritur dhe përmirësuar strukturën ndër vite, si masë mbrojtëse ndaj përmbytjeve të përsëritura. “Ata e bëjnë këtë çdo herë që uji rrezikon të hyjë në shtëpi,” shkroi një komentues në Facebook, duke përmendur vëllezërit Tucker dhe Justin Humphrey si ndërtuesit kryesorë të digës që mbrojti shtëpinë e nënës së tyre, Amy.
Rreth 120 familje në zonë u prekën nga përmbytjet që vinin nga prurjet e mëdha të lumenjve Mississippi dhe Obion. Shumë banorë u evakuuan me varka nga ekipet e shpëtimit, ndërsa dëshmitarë treguan se situata ishte më e rëndë se çdo stuhi e dekadave të fundit. “Në më shumë se 30 vjet, nuk kam parë kurrë të kalojë uji në rrugën time kështu,” tha një banor i Bogota-s, një fshat pranë Ridgely.
Stuhitë e forta, përveç reshjeve, sollën edhe erëra të fuqishme dhe tornado në disa pjesë të Tennessee, si dhe në shtetet fqinje si Kentucky dhe Mississippi. Bilanci i përgjithshëm i viktimave në rajon arriti në 21, ndërsa autoritetet konfirmuan 10 të vdekur vetëm në Tennessee. Në një kohë kaosi dhe dëmesh të mëdha, historia e familjes Humphrey mbetet një shembull i jashtëzakonshëm i vendosmërisë dhe parandalimit me mjete të thjeshta, por efektive.