FLASH :

Faleminderit Meloni që na mbushe gropat e Tiranës

Tirana, një qytet që për vite me radhë është përballur me probleme të infrastrukturës, përfshirë gropa të shumta dhe ujëra të zeza që përshkonin rrugët, papritur përjetoi një transformim të befasishëm. Arsyeja? Giro d’Italia, një nga ngjarjet më prestigjioze të çiklizmit botëror, që këtë vit zgjodhi të kalojë përmes Shqipërisë.

Për tre vite, qytetarët e Tiranës kanë denoncuar vazhdimisht këto probleme, duke kërkuar ndërhyrje nga autoritetet vendore dhe qendrore. Megjithatë, asnjë veprim konkret nuk u ndërmor. Deri sa një ngjarje ndërkombëtare, si Giro d’Italia, kërkoi që qyteti të paraqitej në formën më të mirë.
Ironia qëndron në faktin se këto ndërhyrje nuk ishin të planifikuara për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve, por për të krijuar një fasadë mbresëlënëse për vizitorët ndërkombëtarë dhe për të treguar një imazh të pastruar të kryeqytetit.


Ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë është fakti që ky “ndryshim i papritur” duket të jetë rezultat i një marrëveshjeje të heshtur mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Giorgia Melonit. Për t’i kthyer nderin për ofrimin e një kampi për refugjatët e Italisë, Meloni dhuroi prezencën e Giro d’Italia në Shqipëri, duke i ofruar Ramës mundësinë për të shkëlqyer në prag të zgjedhjeve.

Ndërsa qytetarët kanë vite që jetojnë mes problemeve infrastrukturore, duket se një ngjarje ndërkombëtare ishte mundësi për përmirësimin e situates. Po të mos ishte për Melonin dhe Giro d’Italia këtu, gropat e Shqipërisë dhe problemet e tjera që janë të pafundme do të vazhdonin kushedi dhe për sa vite të tjera. Kështu që faleminderit nga zemra Giorgia!