Nga Ernesto Galli della Loggia | Corriere Della Sera
Operacioni ushtarak i Izraelit në Gaza, tashmë i gjatë mbi një vit e gjysmë, po rrezikon të përfundojë në një rrugë pa dalje. Megjithëse Hamas ka pësuar goditje të mëdha, ai vazhdon të ekzistojë dhe të rezistojë mes rrënojave të qytetit, duke e bërë shkatërrimin e tij të plotë praktikisht të pamundur pa një okupim të përhershëm të Rripit – një skenar që do e kthente Gazën në një “kamp përqendrimi gjigant”, siç e përshkruan autori. Mbi të gjitha, Galli della Loggia thekson se presioni ndërkombëtar – përfshirë edhe atë amerikan – e bën të pamundur një ndërhyrje të tillë.
Por kritika më e fortë e autorit nuk i drejtohet vetëm Izraelit. Sipas tij, është hipokrite të gjykosh vetëm reagimin izraelit pas masakrës së 7 tetorit 2023, pa ofruar asnjë alternativë reale për çfarë duhet të kishte bërë shteti hebre. Ai akuzon perëndimin, OKB-në dhe të gjithë kritikët aktualë të Izraelit për pasivitetin e tyre ndaj Hamasit, i cili mbajti peng qindra civilë të pafajshëm pa u përballur me asnjë presion domethënës. Për Galli della Loggia, dështimi për të mbështetur Izraelin në ato ditë tragjike kontribuoi në “çmendurinë” që pasoi: një operacion tokësor i dështuar dhe një luftë që tani rrezikon të kalojë në masakër. Ai sugjeron se në vend të kësaj, Izraeli duhej të kishte goditur drejt e Iranin – sponsorin e Hamasit – me një ultimatum ajror që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë.
Në këtë vizion të errët, autori mbyll me një akuzë të fortë ndaj cinizmit të Hamasit, që jo vetëm nuk ka liruar pengjet e mbetura, por sipas tij, i ka kthyer në pengje edhe vetë popullin palestinez, duke e përdorur për të mbajtur Izraelin në pozitën e një xhelati të izoluar dhe të urryer ndërkombëtarisht.