Është arrestuar Lindion Haka, djali i një ish-kandidati për deputet të Partisë Demokratike, pasi rezulton të jetë bashkë-administrator i një prej fabrikave ku prodhoheshin veshje me marka të falsifikuara. Fabrika u zbulua një ditë më parë nga policia në zonën e Rrugës së Arbrit.
Operacioni çoi në sekuestrimin e një sasi të konsiderueshme veshjesh luksoze false, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të identifikuar rrjetin e shpërndarjes dhe lidhjet e tjera të përfshira në aktivitetin kriminal. Arrestimi i Hakës ka nxitur reagime edhe për shkak të lidhjeve të tij familjare me politikën.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç. Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.