FLASH :

Eva Buzo sfidon të pamundurën: Thyen rekord me 40 km not në oqeanin e Kolumbisë

Pas notit epik nga Italia drejt Shqipërisë, Eva Buzo ka shënuar një tjetër arritje të jashtëzakonshme, këtë herë në ujërat e Kolumbisë. Avokatja shqiptaro-australiane, e njohur për kurajën dhe përkushtimin e saj ndaj sportit të notit në distanca ekstreme, përfundoi me sukses një not prej 40 kilometrash në qytetin bregdetar të Buenaventura-s, duke sfiduar një ndër rrjedhat më të paparashikueshme dhe më të rrezikshme që ka përjetuar ndonjëherë.

Në një reagim të sinqertë pas përfundimit të sfidës, Buzo e cilësoi këtë përpjekje si “teknikisht notin më të vështirë që kam bërë ndonjëherë”. “Po shkoja mbrapsht, pastaj përpara, pastaj më dukej sikur fluturoja mbi dallgët… më pas duhej të nxitohesha për të kapur baticën, pastaj të përfitoja prej saj, dhe pastaj përsëri të vrapoja në ujë se kisha filluar të kthehesha pas”, – tha ajo me humor, duke treguar intensitetin dhe absurditetin fizik të përballjes me oqeanin.

Pavarësisht rraskapitjes, Buzo e përfundoi notin me sukses falë forcës së vullnetit, përgatitjes së hekurt dhe mbështetjes së ekipit të saj. Ajo falënderoi ndjekësit për mbështetjen dhe premtoi se do të ndante më shumë detaje së shpejti.

Ky sukses e ngjit edhe më lart profilin e saj si një notare ekstreme dhe avokate e guximshme, që përdor sportin si një mjet për të tejkaluar kufijtë fizikë dhe mendorë – dhe për të frymëzuar të tjerët. Pas Adriatikut dhe Oqeanit Paqësor, mbetet për t’u parë se cili do të jetë sfidimi i radhës i Eva Buzos, që duket se nuk njeh limite.