FLASH :

Eurostat: Shqipëria e para në Europë për varfëri ekstreme – Më shumë se 1 milion qytetarë në rrezik social

Shqipëria renditet në krye të vendeve europiane për nivelin më të lartë të popullsisë në rrezik për të qenë e varfër ose përjashtuar socialisht, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat. Gati 42% e shqiptarëve, mbi 1 milion qytetarë, vuajnë nga forma të rënda privimi material dhe social, bazuar në të dhënat për vitin 2023.

Shqipëria, më keq se çdo vend tjetër në kontinent

Në raportin e vitit 2024, që mbulon të dhënat e vitit paraprak për Shqipërinë, vendi rezulton me përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik përjashtimi shoqëror dhe ekonomik në të gjithë Europën. Pas Shqipërisë renditen Rumania dhe Turqia, ndërsa vendet me performancën më të mirë janë Çekia, Sllovenia dhe Hollanda.

Çfarë do të thotë të jesh “i përjashtuar” në Shqipëri?

Sipas Eurostat, personat e prekur nga varfëria jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën 7 nga 13 kategori të privimit, të ndara në nivel individual dhe familjar. Këto përfshijnë:

  • Vonesat në pagesa për qira, kredi ose shërbime bazë (ujë, drita, gaz);
  • Pamundësia për pushime një javore larg shtëpisë;
  • Pamundësia për një shpenzim të paparashikuar prej 30 mijë lekësh;
  • Mungesa e ushqimeve bazike, si mish, peshk apo alternativa vegjetariane çdo dy ditë;
  • Pamundësia për të ngrohur shtëpinë në mënyrë të përshtatshme;
  • Mungesa e një makine personale;
  • Paaftësia për të zëvendësuar mobiliet e vjetra.

Rajoni në krizë, por Shqipëria më keq

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka treguesit më shqetësues. Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6% dhe Serbia 30%.