Një valë e fuqishme e të nxehtit ka goditur Europën, duke shkaktuar të paktën 2,300 vdekje të lidhura me temperaturat ekstreme në 12 qytete të mëdha, përfshirë Londrën, Madridin, Barcelonën dhe Milanon. Sipas një studimi të shkencëtarëve britanikë, 1,500 nga këto vdekje janë drejtpërdrejt të lidhura me ndryshimet klimatike, që rritën temperaturat deri në 4°C mbi mesataren.
Muaji qershor ishte i treti më i nxehti në historinë e planetit, ndërsa Evropa Perëndimore përjetoi qershorin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Në Portugali, temperaturat “ndjehet si” shënuan deri në 48°C, me 284 vdekje të raportuara deri më tani. Zjarret janë përhapur në disa vende: në Francë, mbi 100 të lënduar dhe evakuime masive në periferi të Marsejës; në Spanjë, 18,000 persona u izoluan në Tarragona për shkak të një zjarri që dogji mbi 3,300 hektarë; ndërsa në Greqi, Kroaci, Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut janë dhënë paralajmërime për rrezik ekstrem dhe janë ndërmarrë masa emergjente.
Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë gjatë korrikut, me temperatura që pritet të kapërcejnë 40°C në shumë rajone turistike. Në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet shëndetësore kanë lëshuar një alarm për shëndetin publik, ndërsa temperaturat do të rriten deri në fundjavë.






