Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 96.91 lekë, niveli më i ulët historik i shënuar deri më sot.
Euro e ka nisur javën me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit dhe ka rënë për herë të parë poshtë nivelit të 97 lekëve.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 96.91 lekë, niveli më i ulët historik i shënuar deri më sot. Kursi Euro-Lek vazhdon të jetë në rënie me bazë vjetore, por kjo rënie është më e ulët, me 2.4%.
Ecuria e kursit tregon se rënia e Euros ka tejkaluar madje edhe nivelet e periudhës korrik-gusht, që shënon edhe pikun e sezonit veror. Sipas agjentëve, rënia e mëtejshme e Euros dëshmon një ofertë të lartë dhe më të shpërndarë gjatë vitit të monedhës europiane. Kjo mund të shpjegohet me zgjatjen e sezonit veror, por edhe me një bazë më të gjerë të prurjeve valutore, që nuk lidhen vetëm me turizmin.
Banka e Shqipërisë ka rinisur blerjet e valutës qysh në tremujorin e dytë të këtij viti, me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të Lekut. Vlerat e blera me këtë qëllim ende nuk janë publikuar, por megjithatë ato vetëm sa e kanë ngadalësuar rënien e kursit të Euros, pa mundur ta stopojnë atë.
Të dhënat e Bilancit të Pagesave treguan se prurjet neto nga turizmi për 6-mujorin e parë të vitit u rritën me afërsisht 8%, shifër kjo ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin e kaluar.
Në tërësi, deficiti i llogarisë korrente u rrit për tremujorin e dytë të vitit, me 19% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por, për të gjithë 6-mujorin 2025, deficiti i llogarisë korrente ngelet në rënie, me një vlerë totale prej 561 milionë eurosh ose 3.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një faktor tjetër me peshë në rritje gjatë viteve të fundit ka qenë rritja e investimeve të huaja direkte, sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e parë treguan se rritja është ngadalësuar ndjeshëm, me vetëm 1% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Paralelisht, rënia e Euros dhe forcimi i monedhës vendase në vitet e fundit është ndikuar paralelisht edhe nga politika fiskale më shtrënguese, me ulje të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.
Për të tretin vit radhazi, balanca buxhetore po qëndron pozitive në pjesën më të madhe të vitit. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në fund të 7-mujorit suficit buxhetor kishte vlerën e 31.6 miliardë lekëve. Megjithatë, suficiti paraqitet në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në rënie me 42%.