Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u paraqit këtë të premte në mëngjes në ambientet e Shërbimit të Provës, i shoqëruar nga avokati i tij, Ledio Braho. Kjo paraqitje vjen si pjesë e procedurave ligjore të lirisë me kusht, pas vendimit të Gjykatës së Fierit që pranoi kërkesën e Salianjit më 8 korrik.
Ish-deputeti demokrat u lirua nga burgu pasi kreu 9 muaj e gjysmë nga dënimi me 1 vit, i dhënë në shtator të vitit të kaluar për çështjen “Babale”.
Pas daljes nga takimi në Shërbimin e Provës, Salianji deklaroi se ndodhej aty në respekt të institucionit, ndonëse e konsideron të gjithë procesin një vendim politik i orkestruar për interesa të mazhorancës. Ai tha se synon të ndjekë rrugën ligjore deri në fund, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Jam në respekt të institucionit, pavarësisht se jemi në kushtet e një regjimi ku dënimi im politik konfirmon se për interesa politike dhe çdo interes tjetër që bie ndesh me vullnetin personal të Ramës për të mbajtur pushtetin, përdoren të gjitha institucionet dhe instrumentet ekstra politikë për të krijuar klimë terrori”, u shpreh Salianji për mediat.
Ai theksoi se do të rikthehet sërish në Shërbimin e Provës gjatë këtij muaji, për të ndjekur programin individual të vendosur nga drejtësia.
Gazetarët e pyetën edhe mbi faktin se pse nuk u prit në selinë blu nga ndonjë drejtues i PD-së pas lirimit nga burgu. Në përgjigje, Salianji tha se ka pasur kontakte të vazhdueshme me kolegët e tij dhe se shumë prej tyre e kishin vizituar në burgun e Fierit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.
“Dënimi im është politik. Nuk kam pasur asnjë interes personal dhe nuk kam përfituar. Akuzohem, siç thuhet në vendimin e gjykatës, se kam dashur të rrëzoj qeverinë. Ka pasur një pritje të jashtëzakonshme nga qytetarët dhe sidomos nga kolegët deputetë që më kanë vizituar shpesh në burg”, shtoi Salianji.
Aktualisht, ai është në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë për të vijuar me ankimimin në Kushtetuese, ndërsa paralajmëroi se do ta çojë çështjen edhe në Strasburg, duke e konsideruar atë një përballje me “regjimin”.