Në një rrëfim të ndjerë për jetën personale, këngëtari shqiptar Ermal Meta ka zbuluar për herë të parë se është bërë baba që tre vite më parë, dhe jo vetëm pas lindjes së vajzës së tij Fortuna vitin e kaluar. Në një intervistë intime, ai ka treguar historinë e jashtëzakonshme të lidhjes me dy vajzat që ai dhe partnerja e tij, Chiara, kanë mbështetur dhe dashur si fëmijët e tyre që prej momentit të parë.

Ermal dhe Chiara kanë pasur një angazhim afatgjatë me një shtëpi fëmijësh në Shqipëri, ku kujdesen për vajza dhe gra me histori të dhimbshme pas vetes. Gjatë vizitave të shumta, ata njohën dy vajza 15-vjeçare që u bënë pjesë e jetës së tyre. Megjithëse për shkak të statusit civil nuk mund të bënin birësim ligjor, ndjenja e prindërimit nisi që atëherë.
“U takuam rastësisht në Bari, në një ditë kur duhej të isha diku tjetër. Ishte ditëlindja e njërës prej tyre dhe e nënës sime. I ftuam për drekë dhe më pas për pushime verore. Aty e kuptova: nuk mund të jetoja më pa to”, rrëfeu i emocionuar Meta.

Ai kujtoi se pas largimit të vajzave pas verës, ndjeu një boshllëk të thellë dhe shpërtheu në lot. “Në atë moment u bëra babai i tyre”, tha këngëtari, duke treguar sesi lidhja me to u thellua çdo ditë.
Së shpejti, vajzat do të bëhen 18 vjeç dhe do të mund të jetojnë ligjërisht me çiftin në Itali. Meta dhe Chiara i kanë përgatitur tashmë dhomat dhe presin me padurim ardhjen e tyre.
Në intervistë, këngëtari ndau gjithashtu emocionet kur vajzat mësuan se Chiara ishte shtatzënë me Fortuna-n. Megjithëse vajzat u përpoqën të dukeshin të lumtura, Ermal i siguroi: “Nuk do të ndryshojë asgjë, thjesht do të keni një motër më shumë. Ju jeni dhe do të mbeteni gjithmonë vajzat tona.”
Në fund, Ermal Meta u shpreh:
“Ka kaq shumë dashuri që i pret. Nuk presim dot ta kemi familjen tonë të plotë.”
Një histori e jashtëzakonshme dashurie, përkushtimi dhe prindërimi nga një prej artistëve më të dashur shqiptarë.






