Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, është përgjegjësi kryesor i turpit që po njollos punën e gjithë Rilindjes që mburret me krenari me Vlorën, atë të djegies kancerogjene të plehrave ditë e natë pa pushim në qytetin bregdetar, ndërkohë që në këtë të fundit kanë vërshuar në masë turistët këtë fund javë.
Dredha së pari është përgjegjës në rast se ai ka vendosur persona të pa përgjegjshëm në këtë detyrë, që nuk janë të aftë të menaxhojnë mbetjet e qytetit.
Qytetarët e Vlorës e kanë zgjedhur pikërisht që ai t’u menaxhojë punët e qytetit, ku përfshihet dhe pastërtia dhe menaxhimi i plehrave.
Pak muaj më parë ai përuroi me gëzim se më në fund problemi i përvitshëm ishte zgjidhur me përcaktimin e një fushe të re për menaxhimin e mbetjeve, por problemi ka vijuar në mënyrë edhe më të turpshme sivjet, ku aroma e padurueshme e plastikës së djegur dhe shtëllungat e tymit të zi, përzunë turistët dhe rrezikuan të sëmurin banorë e fëmijë të zonave deri në 8 kilometra distancë në vijë ajrore nga vendi i djegies.
Kështu që Dredha nuk mund ta dredhi duke paditur të gjitha institucionet e varësisë së tij, pasi ai është po aq përgjegjës, sa stafi i tij i papërgjegjshëm.
Edhe sikur ky të jetë një sabotim nga dora e të tretëve, sërish Dredha është përgjegjës që nuk ka krijuar një sistem ruajtje, sigurie dhe monitorimi, që një gjë e tillë të mos ndodhë.
Si të mos mjaftonte kjo, ai e ka lënë edhe pa ujë qytetin sot për të disatën herë këto 3 javë, me pretekstin e ndërhyrjeve në rrjet.
Dredha mund ta dredhi sa të dojë, por një gjë është e sigurt, nëse plehrat e djegin sërish Vlorën duke u bërë turp i turizmit, atëherë zëra pranë qeverisë pëshpërisin se Edi Rama do ta shkarkojë me ceremoni kryebashkiakun e Vlorës.







