Vlora është përfshirë nga mungesa e ujit të pijshëm në një moment kritik – në kulmin e sezonit turistik. Siç ndodhi disa javë më parë në Durrës, tashmë edhe Vlora ndodhet në të njëjtën krizë, me shumë lagje të qytetit që kanë mbetur pa ujë për ditë të tëra. Por ndryshe nga ç’mund të mendohej, problemi nuk qëndron tek mungesa e burimeve natyrore. Përkundrazi, burime ka me bollëk – në Tragjas, në burimet natyrore përreth dhe në vetë rrjetin që mbulon zonën – por uji nuk arrin dot te qytetarët.
Shkaku i vërtetë është dështimi total i strukturave lokale për të garantuar furnizimin bazë me ujë dhe mirëmbajtjen e rrjetit. Përjashtim bën vetëm zona e Tragjasit, që nuk furnizon pjesën tjetër të qytetit sepse shërben vetëm për banorët vendas. Ndërkohë, pjesa tjetër e qytetit vuan mungesën e ujit jo për shkak të ndonjë thatësire apo ndonjë “dënimi” të natyrës, por për shkak të neglizhencës, mungesës së investimeve dhe paaftësisë së bashkisë.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, duket se nuk mëson as nga kritikat publike që i janë bërë – qoftë edhe nga vetë kryeministri Edi Rama në ditën e përurimit të terminalit të ri të pasagjerëve në portin e Vlorës. Në vend që të përqendrohet tek problemet reale të qytetit, Dredha vazhdon me propagandë dhe aksione simbolike, si djegia e mbetjeve në fushë të hapur apo lënia e plehrave të shpërndara rrugëve – veprime që vetëm sa e dëmtojnë më tej imazhin e qytetit në sytë e turistëve.
Kjo situatë nuk është çështje natyre apo fatkeqësie. Uji ekziston. Ajo që mungon është aftësia për ta menaxhuar. Bashkia e Vlorës ka dështuar të investojë, të mirëmbajë, dhe mbi të gjitha të organizojë një furnizim të qëndrueshëm për një qytet që jeton nga turizmi dhe që nuk mund të mbijetojë pa shërbime bazë.