FLASH :

Erion Veliaj nxjerr padashje thagmën juridike me të cilën Nesti Angoni e vuri me shpatulla pas muri

Erion Veliaj, në përpjekje për të shpallur të pavlefshme hetimet ndaj tij, ka publikuar padashje dokumentin që përmban pikërisht thagmën juridike me të cilën qytetari anonim “Nesti Angoni” e vuri me shpatulla pas muri. Në kërkesën drejtuar GJKKO-së, kryebashkiaku i Tiranës bëri publik denoncimin që i ishte dërguar SPAK-ut, i cili, pavarësisht se pa firmë dhe pa autor të identifikuar, përmban indicie të sakta dhe të verifikueshme.

Pavarësisht nëse “Nesti Angoni” është një qytetar real apo një emër anonim, ajo që ka rëndësi juridike dhe praktike është fakti që denoncimi i tij ofron të dhëna konkrete: emra të përveçëm si Gentiana Sulaj, Genti Sula, ndërtimet e Agikons, pasuritë në Qerret dhe marrëdhëniet klienteliste të pretenduara mes Veliajt dhe ndërtuesit. Vetë Veliaj, duke e bërë këtë dokument publik, ka legjitimuar ekzistencën e lidhjeve dhe ngjarjeve që ai përpiqet t’i paraqesë si “thashetheme”.

Me këtë akt, Veliaj nuk ka hedhur poshtë përmbajtjen e denoncimit, përkundrazi: ka konfirmuar se ai përshkruan një realitet që ekziston. Një realitet që SPAK ka konsideruar të mjaftueshëm për të nisur një procedim penal. Në thelb, ai ka zbuluar vetë në një dokument zyrtar mekanizmin ligjor që e ekspozon ndaj hetimeve.

Ky është një rast ku një letër, qoftë edhe pa firmë, bëhet më e fortë se çdo konferencë për shtyp apo deklaratë politike. Sepse nuk është fjala për spekulime, por për indicie të qarta që e çojnë drejtësinë përpara. Dhe paradoksalisht, është vetë Veliaj që ia ka vënë vetes në dorë “çelësin” e hetimit.

“Të nderuar,

Jam një qytetar i Tiranës që dua t’ju vë në dijeni të disa fakteve që i shoh si kompromentuese për kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, dhe marrëdhëniet e tij me pronarin e shoqërisë Agikons, Genti Sula.

Kur Erion Veliaj u bë ministër, mori një banesë në bllokun Kodra e Diellit në pronësi të Genti Sulës, dhe gruaja e tij u bë zëvendësministre te Ministria e Punës (kjo banesë më vonë është shtuar me një kat dhe me ashensor të veçantë). Që nga ajo kohë, marrëdhënia e të dyve është e pandarë.

Shoqëria Agikons, me pronar Genti Sulën, ka ‘fituar’ një pafundësi ndërtimesh në Tiranë: shkolla te ish-sheshi Shqiponja, Parku Rinia, godina e Operës, Materniteti, spitali i ri, godina pranë Universitetit Bujqësor dhe tani flitet edhe për Teatrin Kombëtar.

Nuk mund të them se si janë fituar kontratat për këto ndërtime…

Sot, Erion Veliaj ka në pronësi 3 vila në fshatin rezidencial në Qerret, Kavajë, të ndërtuara nga Agikons-i i Genti Sulës. Një vilë e posedon i vëllai i tij, një vetë Erion Veliaj dhe të dyja janë të rikonstruktuara; e treta është rrafshuar. Këto vila kanë një vlerë tregu (së bashku me rikonstruksionin) që shkon rreth 500 mijë euro.

Vila e tretë është rrafshuar për të krijuar më shumë hapësirë – pra, është hedhur në plehra një investim prej 500 mijë eurosh. Për prishjen e saj kanë punuar makineritë e Ujësjellësit të Kavajës. A ka një leje për këtë prishje? Apo ndonjë faturë për punimet?

Të gjitha këto ngrenë pyetjen: Ku i gjeti paratë Erioni? A ka dokumenta të blerjeve, pagesave bankare, apo pronësia ka mbetur formalisht te ndërtuesi?

Këto janë disa probleme që mendoj se tregojnë shumë.

Uroj të kem dhënë një informacion të vlefshëm në luftën kundër korrupsionit.

Nesti Angoni”