FLASH :

Erion Veliaj entuziast nga burgu për parkimin e ri në Tiranë, ndërkohë që pasi ju godit Klani i Bashkisë, ju godit dhe Klani në parti

Edhe pse ndodhet pas hekurave që prej 10 Shkurtit, Erion Veliaj vijon të shfaqë entuziazëm për projektet e nisura gjatë mandatit të tij si krye bashkiak i Tiranës. Në një mesazh të fundit nga burgu, Veliaj ka ndarë me publikun pamjet dhe detajet e projektit të parkingut të ri nëntokësor te Liqeni i Thatë, një investim që sipas tij do të përmirësojë ndjeshëm përvojën e qytetarëve në Parkun e Madh.

Ky entuziazëm është pak i çuditshëm pasi vjen në një moment kur pozita e Veliajt në skenën politike është tronditur thellësisht jo vetëm për shkak të arrestimit të tij, por edhe kur Edi Rama nisi të zëvendësojë njerëzit më të afërt të ish-krye bashkiakut, duke e marrë nën kontroll të plotë administrimin e Tiranës. Rasti më i qartë i këtij ndryshimi është largimi i Anuela Ristanit nga posti i kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës dhe zëvendësimi i saj me Sara Goxhajn një emër i afërt me kampin e kryeministrit.

Rama ka prekur edhe drejtuesin e Policisë Bashkiake, Toni Beni, një nga ushtarët më të afërt të Veliajt. Në vendin e tij pritet të emërohet Elona Lalaj Xhelilaj, një emër i afërt me strukturat qeveritare dhe konsideruar si “ushtare e bindur” i Kryeministrit.
“Ja si do të duket parkingu i ri nëntokësor te Liqeni i Thatë, për të cilin jam shumë entuziast e mezi pres të nisim nga puna,” shkruan ai, duke shtuar se struktura do të ketë 117 vende parkimi dhe sipër saj do të ndërtohen fusha sportive dhe hapësira rekreative për fëmijët.” shkruan Veliaj.

Ndërkohë gjedhjet e 11 Majit shënuan një tjetër goditje për Veliajn, këtë herë në frontin e brendshëm të partisë. Deputetët më besnikë të tij, të cilët për vite me radhë kanë qenë zëri i Veliajt në Kuvend, nuk arritën të fitojnë një mandat tjetër. Plarent Ndreca, Klotilda Bushka, Etien Xhafaj, Toni Gogu dhe Blerina Gjylameti nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re, duke lënë Veliajn politikisht të izoluar.

Më problematike është situata për Ndrecën dhe Bushkën, të cilët përveç humbjes elektorale, përballen me hetime nga SPAK. Ndaj Ndrecës rëndon akuza për “Shkeljen e barazisë në tendera”, ndërsa Bushka dyshohet se ka penguar hetimet ndaj vetë Veliajt, duke ushtruar presion mbi dëshmitarët dhe tentuar manipulimin e provave.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë distancimin e tij nga Veliaj që prej momentit të parë të arrestimit. Tashmë, me një fitore të thellë në zgjedhjet e fundit, Rama ka edhe forcën politike për të vulosur përfundimisht largimin e ish-kryebashkiakut nga skena.