Aktori i njohur i humorit, Erand Sojli, ka konfirmuar për herë të parë ndarjen nga bashkëshortja e tij, Rina Narazani, me të cilën ka dy fëmijë dhe një bashkëpunim të gjatë në skenë. Lajmi u zbulua fillimisht nga Panorama Plus dhe më pas u la të nënkuptohej nga vetë aktori gjatë qëndrimit të tij në “Ferma VIP”.

I pyetur nga Big Mama nëse ka ende komunikim me bashkëshorten, Erandi zgjodhi të përgjigjet vetëm me gjeste, duke tundur kokën në shenjë mohimi dhe pa dhënë më shumë shpjegime.
Pas disa vitesh mungesë në skenën shqiptare, Sojli u rikthye në vend pas një periudhe suksesi në Shtetet e Bashkuara, ku realizoi projekte në kinematografi dhe teatër. Rikthimi i tij në Shqipëri dhe pjesëmarrja në “Ferma VIP” ka ngjallur interes të madh, ndërkohë që fansat po shohin një Erand të ndryshëm nga ai që njohën vite më parë.
Burime pranë aktorit konfirmojnë se ndarja me Rina Narazanin nuk është një ngjarje e fundit, por diçka që ka ndodhur prej kohësh, duke u mbajtur larg vëmendjes publike. Çifti, të cilët patën një bashkëpunim të paharruar në skenën e spektaklit “Portokalli” me rolet “Thëllëza” dhe “Naqe”, ndanë një histori dashurie të gjatë dhe një jetë artistike të përbashkët.
Në një nga daljet e tij të fundit publike para largimit në SHBA, Erandi kishte shprehur dashurinë e madhe për Rinën dhe familjen e tyre, madje i kishte dedikuar asaj këngën e Leonard Cohen “Dance Me to the End of Love”. Megjithatë, duket se koha dhe ndryshimet e jetës së tyre kanë sjellë fundin e kësaj lidhjeje.
Në intervistat e fundit, aktori ka qenë i rezervuar për jetën personale, duke zgjedhur të përqendrohet në angazhimet artistike. Tashmë që ai është pjesë e “Ferma VIP”, pritet që Erandi të ndajë më shumë detaje për këtë periudhë të vështirë të jetës së tij.
Aktualisht, Erand Sojli dhe Rina Narazani janë prindër të dy vajzave dhe kanë ndarë përgjegjësitë e tyre familjare, pavarësisht ndarjes së tyre si çift.