FLASH :

EMRAT/ Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ekstradohen dy të rinjtë shqiptarë nga Italia dhe Gjermania

Interpol Tirana, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka vijuar me sukses operacionet për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, janë finalizuar dy ekstradime të tjera nga Gjermania dhe Italia drejt Shqipërisë.

  • Nga Gjermania, është ekstraduar shtetasi Danjel Lalaj, 21 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila në vitin 2021 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:

“Kultivimi i bimëve narkotike”,

“Grupi i strukturuar kriminal”,

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

  • Ndërkohë, në Itali, autoritetet italiane arrestuan në qytetin e Milanos dhe më pas ekstraduan drejt Shqipërisë shtetasin Kledjon Berberi, 35 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në vitin 2024, që i caktoi masën “Arrest me burg” për veprat penale:

“Heqja e paligjshme e lirisë”,

“Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”.

Hetimet kanë zbuluar se në qershor 2024, Berberi, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kishte mbajtur me forcë, brenda një automjeti, dhe dhunuar rëndë një shtetas tjetër, K. V.

Policia e Shtetit, përmes Interpol Tirana, vijon bashkëpunimin intensiv me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e të gjithë shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.