Pas një procesi që zgjati pothuajse tre vite, Emily Ratajkowski dhe ish-bashkëshorti i saj, aktori Sebastian Bear-McClard, janë tani ligjërisht të divorcuar. Dokumentet zyrtare konfirmojnë se vendimi u dha më 22 korrik nga Gjykata Supreme e New Yorkut.
Në të njëjtën ditë u paraqit edhe një urdhër lidhur me sigurimin shëndetësor të djalit të tyre, Sylvester Apollo Bear. Megjithatë, për shkak të ligjeve të privatësisë në shtetin e New Yorkut, detajet specifike të marrëveshjes mbeten konfidenciale.
Emily kishte dorëzuar kërkesën për divorc në shtator të vitit 2022, pas katër vitesh martesë. Shkak për ndarjen, sipas burimeve, ishin tradhtitë e përsëritura nga ana e Sebastianit. “Isha shumë e pakënaqur. Pesha ime ra ndjeshëm pas lindjes dhe nuk isha mirë emocionalisht,” ka rrëfyer modelja në një intervistë.
Çifti ka një djalë të vogël, i cili jeton me Emily-n, ndërsa takon babain disa herë në javë. Ndërkohë që Emily vazhdon të jetë aktive në media dhe është shprehur se po mendon të shkruajë një libër për përvojën e saj me divorcin, Sebastian ka zgjedhur të largohet nga vëmendja publike, veçanërisht pas akuzave serioze për abuzim nga dy vajza adoleshente.
Divorci i tyre shënon përfundimin e një kapitulli të vështirë për modelen, e cila tashmë duket e fokusuar te rritja e djalit dhe projekte të reja personale.