Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar emigracionin si “dramën e vërtetë” të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se largimi në masë i forcës së punës ka prekur konsumit, shpenzimet dhe vetë punësimin. Në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku u referua të dhënave të fundit të INSTAT, sipas të cilave punësimi tek personat mbi 64 vjeç është rritur me 7.9%, duke sinjalizuar plakjen e tregut të punës.
“Shqipëria nuk e ka më avantazhin konkurrues të të rinjve që punonin dhe investonin këtu; shpresa e ekonomisë është kthyer tek mosha e tretë,” tha Tabaku, duke argumentuar se vendi ka humbur “forcën tërheqëse të punës” për shkak të sistemit aktual dhe politikës fiskale.
Sipas saj, rritja e taksave, pamundësia për të blerë një apartament, vështirësitë për të krijuar familje, punësimi i pasigurt dhe barrierat për hapjen e bizneseve kanë goditur shtresën e mesme, duke e shtyrë drejt emigrimit. “Këto pasoja po ndjehen sot në ekonomi,” theksoi ajo.
Tabaku kërkoi ndryshim të modelit ekonomik dhe të strukturës së ekonomisë, si dhe rishikim të politikave fiskale në favor të punës. “Shqipëria duhet t’i japë vlerë punës, ta promovojë dhe ta mbështesë atë. Ky sistem duhet të ndryshojë,” përfundoi deputetja.