Para pak kohësh ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Rroshi, është parë i vetëquajtur “i maskuar” në mitingun e Partisë Demokratike, duke mbajtur një kapuç mbi kokë. Ai ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale, duke sqaruar se nuk kishte për qëllim të mbulonte identitetin, por thjesht mbante kapuç sepse “po binte shi” jashtë
Në postimin e tij, Rroshi shkruante:
“Unë kam qenë aty me një kapuç të xhupit mbi kokë sepse jashtë po binte shi. Kaq! … nuk jam nga ata burra që maskohem dhe aq më shumë të fshihem.”
Ish-kryebashkiaku, Elvis Roshi është zyrtarisht i pandehur. Roshi u paraqit sot pa kapuc në SPAK bashkë me avokatin ku iu komunikua akuza “shpërdorim detyre” lidhur me një kallëzim që KLSH kishte bërë ndaj tij për parregullsi me tenderat në Bashkinë e Kavajës.
Vetë Roshi preferoi të mos bëjë asnjë koment për mediat, ndërsa avokati i tij tha se do njihen me materialet dhe në i vijim do paraqesin pretendimet e tyre.
“Iu komunikua akuza për shpërdorim detyre për një çështje të ardhur nga Durrësi. Do njihemi me materialet dhe do paraqesim pretendimet tona”, tha avokati Andi Skënderi.
Ish-kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.
Nga ana tjetër kujtojmë që më 17 maj SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.







