FLASH :

Elon Musk thotë se Britania ka nevojë për “ndryshim revolucionar” të qeverisë në një tubim anti-migrantësh

Bëri bujë deklarata e miliarderit Elon Musk, i cili në një fjalim virtual në një protestë të së djathtës ekstreme kundër emigrantëve në Londër, tha se Britania duhet të ketë një “ndryshim revolucionar” në qeveri.

Musk, i cili është ish-këshilltar i ish-presidentit amerikan Donald Trump, tha se qytetarët britanikë duhet të “marrin kontrollin” dhe të “reformojnë qeverinë,” duke kritikuar burokracinë që sipas tij nuk i ka përzemër interesat e popullit.

“Duhet një reformë e madhe qeveritare në Britani dhe populli duhet të jetë në krye, jo një burokraci që nuk ka fare shqetësim,” tha Musk gjatë një seance pyetje-përgjigje me aktivistin e së djathtës ekstreme Tommy Robinson, organizator i protestës.

Musk ka qenë prej kohësh i përfshirë në politikën britanike, duke bërë deklarata të forta për krizën e emigracionit dhe qeverinë aktuale.

Protesta, që u mbajt të shtunën në Londër, mblodhi rreth 110,000 deri 150,000 demonstrues sipas policisë dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ku u arrestuan 24 persona dhe u plagosën 26 policë, disa prej tyre rëndë.

Kryeministri Keir Starmer dënoi dhunën dhe tha se Britania është një vend që mbështet tolerancën, diversitetin dhe respektin, dhe nuk do t’i lejojë simbolet e saj të përdoren për frikësim dhe ndarje.