Elon Musk ka sulmuar ashpër Presidentin Donald Trump dhe ligjin e tij të ri të shpenzimeve, të cilin Trump e ka quajtur “ligji i madh dhe i bukur”. Në një postim të martën në rrjetin X, Musk e cilësoi këtë ligj si “një neveri e turpshme” dhe kritikoi ashpër ligjvënësit që votuan pro.
“Na ndjeni, por nuk e duroj më dot këtë. Ky ligj masiv, i çmendur dhe i mbushur me favore është një abominacion. Turp për ata që e votuan. E dini shumë mirë çfarë keni bërë”, shkroi kreu i SpaceX.
Musk akuzoi ligjin për rritjen e madhe të borxhit buxhetor, duke paralajmëruar se “do ta çojë defiçitin në 2.5 trilionë dollarë dhe do të rëndojë qytetarët amerikanë me borxhe të papërballueshme”.
Vetëm pesë ditë pasi u largua zyrtarisht nga pozicioni si i punësuar special në administratën Trump, Musk duket se ka prerë përfundimisht lidhjet me presidentin, edhe pse ndarja e tyre kishte qenë miqësore Trump madje i dhuroi atij simbolikisht një çelës të artë të Shtëpisë së Bardhë.
Por nuk dihet ende si do të ndikojë kjo përplasje në marrëdhëniet e tyre, pasi Trump ka treguar më parë një tolerancë të ulët për kritikat publike. Sidoqoftë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, minimizoi deklaratat e Musk.
“Presidenti e di prej kohësh se çfarë mendon Musk për këtë ligj. Ai vetë e quan një ligj të madh dhe të bukur dhe nuk do të ndryshojë mendje,” tha ajo gjatë një konference për shtyp.
Edhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, reagoi, duke thënë: “Miku im Elon e ka gabim rëndë për këtë ligj të madh dhe të bukur”.
Ligji përfshin një paketë të gjerë financimi për qeverinë federale, me rreth 5 trilionë dollarë ulje taksash dhe një rritje të kufirit të borxhit me mbi 4 trilionë dollarë në dy vitet e ardhshme. Një pjesë e financimit do të sigurohet përmes heqjes ose shfuqizimit më të shpejtë të kredive tatimore për energjinë e pastër të miratuara gjatë presidencës së Joe Biden.
Sipas Zyrës së Pavarur të Buxhetit të Kongresit, projektligji do t’i shtojë borxhit të përgjithshëm të qeverisë rreth 3.8 trilionë dollarë në dekadën e ardhshme. Komiteti për Buxhet Federal të Përgjegjshëm llogarit një ndikim prej 3.1 trilionë dollarësh.

Pavarësisht kritikave, Trump e ka mbrojtur ligjin, duke pretenduar se ai përfaqëson shkurtimet më të mëdha të shpenzimeve dhe uljet më të mëdha të taksave ndonjëherë.
“Do të ndërmarrim një hap të madh drejt balancimit të buxhetit duke miratuar shkurtimin më të madh të shpenzimeve në histori dhe duke i lënë amerikanët të mbajnë më shumë nga paratë e tyre”, shkroi Trump në Truth Social, duke premtuar se nuk do të tatohen më bakshishet, orët shtesë dhe as pensionet e të moshuarve.
Ndërkohë, demokratët kanë shfrytëzuar reagimin e Musk për të goditur republikanët. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, madje mbajti lart printimin e postimeve të Musk duke thënë: “Jam dakord me Elon Musk. Republikanët duhet ta dëgjojnë”.

Ndërsa Trump ka shmangur ta kritikojë publikisht Musk, ai ka deklaruar se do të negociojë disa pjesë të projektligjit. “Ka aspekte që nuk më pëlqejnë, por ka edhe pjesë që më entuziazmojnë”, tha presidenti pa iu përgjigjur drejtpërdrejt akuzave të Musk.
Elon Musk nga ana tjetër është shprehur se ligji e shkatërron punën e Departamentit për Efiçencën e Qeverisë (DOGE), që ai ka drejtuar. “Isha i zhgënjyer kur pashë këtë projektligj gjigant që, në vend që të ulte shpenzimet, i rrit dhe shkatërron gjithçka që ka ndërtuar DOGE,” tha ai për CBS News.
“Një ligj mund të jetë i madh ose i bukur,” shtoi Musk me ironi. “Por nuk besoj se mund të jetë të dyja njëherësh.”
Projekligji u miratua me vetëm një votë më shumë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe pritet të marrë amendime nga Senati, ndërsa Trump ka kërkuar që drafti përfundimtar të jetë gati për nënshkrim deri më 4 korrik.