Përpjekja e Elon Musk për të treguar progresin e robotit humanoid Optimus përfundoi në siklet publik, pasi vetë AI-ja e tij, Grok, e quajti robotin “me përdorim të kufizuar”.
Musk publikoi në platformën X (ish-Twitter), të cilën ai e zotëron, një video ku roboti i Tesla-s bën disa lëvizje vallëzimi në kohë reale. Por, kur një përdorues e pyeti Grok-un për të vlerësuar robotin, AI-ja e vlerësoi Optimus-in si më të dobëtin ndër pesë robotët humanoidë më të mirë në treg.
“Optimus ka lëvizje mbresëlënëse dhe koordinim të mirë, por përdorimi real është i kufizuar, kryesisht për detyra të thjeshta në fabrikat e Tesla-s. Përdorimi më i gjerë pritet në vitin 2026,” shkroi Grok. AI-ja vlerësoi robotin Atlas të Boston Dynamics si më të avancuarin për shkak të aftësisë për të bërë parkur dhe lëvizje dinamike.

Në vend të dytë dhe të tretë u renditën Figure 01/02 dhe Digit, ndërsa Walker S1 nga UBTECH në vendin e katërt. Optimus mbeti i fundit në listë për shkak të fazës së hershme të aplikimit praktik.
Kjo ngjalli debate në X, ku shumë fansa të Musk u ndanë mes entuziazmit për lëvizjet e robotit dhe zhgënjimit për mungesën e përdorshmërisë. Disa komentonin me ironi: “Tregomë si pastron apo rregullon shtëpinë.”
Kur u pyet se kush është më i përgatitur për të shkallëzuar prodhimin e robotëve humanoidë, Grok nuk përmendi Tesla-n, por theksoi kompanitë kineze si UBTECH dhe Unitree, për shkak të kostove më të ulëta dhe kapaciteteve të larta prodhuese.

Megjithatë, disa ndjekës mbetën të impresionuar nga përparimi në lëvizje të robotit Optimus, duke e cilësuar “befasues” dhe “pothuajse si njerëzor”.
Pavarësisht mungesës së lavdërimeve nga vetë AI-ja e tij, Musk vazhdon të shpresojë që robotët humanoidë do të zëvendësojnë punën njerëzore në ambiente të rrezikshme apo të përsëritura. Ai synon që Optimus të dalë në treg në vitin 2026 me çmim nga 20,000 deri në 30,000 dollarë.

Por zhvillimi i projektit përballet me pengesa: tarifat e vendosura nga Trump ndaj Kinës kanë bërë që kjo e fundit të pezullojë eksportin e metaleve të rralla, thelbësore për ndërtimin e motorëve të robotëve. Pa zinxhirin furnizues kinez, prodhimi i Optimus-it rrezikon të kushtojë deri në 50% më shumë.
Ekspertët dyshojnë se Tesla do të mund ta realizojë premtimin e Musk pa ndihmën e furnitorëve kinezë. Megjithatë, me një vit kohë deri në afatin e parashikuar të lançimit, shumë mund të ndryshojë në marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë që të bëhet i mundur prodhimi në shkallë i robotëve të Musk.







