Në një kohë kur Elon Musk dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po “firmosin letrat e divorcit”, investitorët kanë shitur aksionet e Teslës.
Sipas asaj që mediat e huaja bëjnë me dije mësohet se aksionet në kompaninë e makinave elektrike kanë rënë me 14%, duke humbur afërsisht 150 miliardë dollarë në vlerën e tregut e duke shënuar kështu një nga ditët më të këqija të Musk përgjatë muajve të fundit.
Kjo humbje është një tregues i asaj që mund të jetë në rrezik për Musk, ndërsa ai shkëputet nga Shtëpia e Bardhë, e njohur për ushtrimin e pushtetit qeveritar ndaj atyre që i sheh si armiq.
Kujtojmë se teksa mosmarrëveshjet mes tyre u degraduan, Trump kërcënoi të ndërpresë kontratat qeveritare për kompanitë e Musk, përfshirë firmën e raketave SpaceX, e cila ka kontrata me vlerë dhjetëra miliardë dollarë me qeverinë.
Hyrja e Musk në qeveri rezultoi të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për investitorët e Teslës. Aksionet ishin rritur ndjeshëm vitin e kaluar, me shpresën se aleanca e tij me presidentin e SHBA-së do t’i sillte dobi kompanisë.
Por, përplasjet e muajve të fundit mes Musk dhe Trump sollën dhe një pakënaqësi te investitorët. Muajin e kaluar, kreu i bordit të Teslës u detyrua të mohonte publikisht një raport se kompania kishte filluar të kërkonte dikë tjetër për të udhëhequr firmën.
Premtimi i Musk gjatë një telefonate me investitorët se do të tërhiqej nga roli i tij si drejtues i Doge kishte shkaktuar një rritje të aksioneve. Ai zyrtarisht u largua nga qeveria në fund të muajit të kaluar.
Por Tesla tani e gjen veten përsëri në zjarr të kryqëzuar politik!







