FLASH :

Ellen DeGeneres nuk njihet më: Stil i ri flokësh dhe jetë e re në fshatrat britanike

Ellen DeGeneres ka habitur ndjekësit me një pamje tërësisht ndryshe, teksa prezantoi look-un e saj të ri dhe shtëpinë e re në fshatrat e Britanisë. Ish-prezantuesja e famshme, 67 vjeç, që u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar pas rizgjedhjes së Donald Trump në nëntor të vitit të kaluar, u shfaq fundjavën e kaluar në Instagram duke kositur barin me një makinë të verdhë.

Në video, Ellen tregoi se ka hequr dorë nga flokët e verdhë karakteristikë për një ngjyrë më të errët brune. Ajo drejtonte makinën në një fushë të madhe, nën një qiell të mbuluar me re gri, ndërsa videoja shoqërohej me tekstin “Si filloi” dhe më pas “Si përfundoi”, pasi makineria u prish në një kodër.

“Portia mendoi se do ishte qejf të më filmonte herën time të parë në makinë. Kishte të drejtë,” shkroi ajo në mbishkrimin e videos.

Pas përfundimit të emisionit të saj në vitin 2022 dhe pas akuzave për një ambient toksik pune në vitin 2020, DeGeneres ka zgjedhur një jetë më të qetë në Angli me bashkëshorten Portia de Rossi. Ajo publikoi së fundmi edhe një foto të dyjës pas një shiu, me një ylber të dyfishtë në sfond, duke shkruar: “3 gjëra që më bëjnë të lumtur: Bashkëshortja ime. Një ylber. Dhe bashkëshortja ime që fotografon një ylber.”

Pasi blenë një vilë 18 milionë dollarëshe në zonën e Cotswolds në fund të vitit të kaluar, çifti u përball me përmbytje të rënda për shkak të stuhisë Bert dhe probleme me banorët lokalë për shkak të punimeve ndërtimore. Si pasojë, ata u zhvendosën në një tjetër pronë rreth 30 minuta larg, pranë Oxfordshire.

Një burim për DailyMail tha: “Shtëpia është një projekt i vërtetë ‘Grand Designs’ dhe është e qartë që Ellen dhe Portia po e shijojnë atë.” Burimi shton se blerja e dy pronave me çmime tetëshifrore në një periudhë kaq të shkurtër është shumë e pazakontë dhe mund t’i ketë kushtuar Ellen me qindra mijëra paund, ndoshta edhe miliona, vetëm në tarifa dhe kosto transferimi.

Ndërkohë, karriera e saj në komedi vijon në mënyrë të moderuar. Speciali i saj për Netflix “Ellen DeGeneres: For Your Approval”, i publikuar në vitin 2024, mori kritika kryesisht negative dhe vetëm 33% në Rotten Tomatoes. Pak muaj më parë, ajo shiti një pronë në Montecito për 5.2 milionë dollarë, pasi kishte dalë në treg për 4.995 milionë. Një tjetër pronë e saj në të njëjtën zonë u hodh në treg për 29.9 milionë dollarë në janar.

Sipas një burimi për revistën New Idea, arsyeja pse Ellen dhe Portia zgjodhën Anglinë dhe jo Australinë për t’u zhvendosur ishte sepse Ellen dëshiron të vazhdojë karrierën në komedi: “Të pushosh në një plazh në Australi është për kur të jetë gati për pension, por Ellen nuk është aty ende.”