Këngëtarja e njohur Eleni Foureira foli hapur për anët e padukshme të jetës së saj personale dhe profesionale, gjatë një interviste në emisionin radiofonik “Daily Who”. Në një rrëfim të ndjerë, Foureira tregoi për betejën me ankthin si nënë, frikën për djalin e saj Hermes, dhe pikëpamjet e saj të sinqerta për tradhtinë në një marrëdhënie.
Eleni, e cila është në një lidhje me futbollistin spanjoll Alberto Botía, tha se nëse partneri i saj do të dashurohej me dikë tjetër, do ta falte, pavarësisht dhimbjes që do ndjente.
“Unë nuk jam shumë xheloze. E ndjen kur dikush nuk të jep të drejta. Nuk mund ta mbash dikë me forcë. Nëse partneri im bie në dashuri me dikë tjetër, do më lëndojë, por sepse e dua, do të dëshiroja që të ishte i lumtur”, theksoi ajo.
Foureira tregoi gjithashtu se kurrë nuk e ka kërkuar emrin e saj në internet, nga frika se mos lexonte diçka negative që do ta prekte thellë.
“Kur isha më e re, më trembte shumë. Në fillim të karrierës sime, më ndikonte psikologjikisht aq shumë, saqë përjetova edhe një problem shëndetësor. Nuk e përballoja dot mendimin që mund të kisha lënduar dikë”, pranoi ajo.
Duke folur për të birin, Hermesin, këngëtarja u shpreh e shqetësuar për ndikimin që mund të ketë fama e prindërve në jetën e tij.
“Nuk kam menduar ende se si do t’i shpjegoj Hermesit çfarë pune bëj. Ai kërcen dhe këndon shumë nga këngët e mia, por nuk e di nëse e kupton që janë të miat. Kam frikë se do të përballet me ngacmime në shkollë, ose se do të ndiejë presion për të tejkaluar suksesin tonë”, rrëfeu Foureira.
Në këtë rrëfim të sinqertë, artistja shfaqi anën e saj më njerëzore, larg shkëlqimit të skenës.